VV paralajmëron bashkimin me LDK-në, për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj

226

Ditët kur dy partitë më të mëdha opozitare në vend VV dhe LDK do të bëhen bashkë në një nismë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, janë të numëruara.

Pas ftesës publike që Vjosa Osmani nga LDK i ka bërë opozitës për bashkim kundër Qeverisë, këtë bashkëpunim e ka paralajmëruar edhe deputetja e VV-së Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se ky bashkim është i domosdoshëm, madje e ka ftuar në këtë opozitarizëm edhe Partinë Social Demokrate e cila sipas saj, po i ndihmon kësaj Qeverisë për të ja zgjatur ditët.

Në një prononcim për Gazetën Blic, deputetja Haxhiu, ka thënë se pas dy kërkesave të tyre që dështuan, asaj për dorëheqje të Haradinajt, e më pas për mocion votëbesimi, tash opsioni i tretë është bashkimi i opozitës si mundësi e vetme për ta rrëzuar këtë qeveri.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje, kemi kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, pikërisht për shkak të vendimeve të dëmshme, dhe në të njëjtën kohë, duke marrë parasysh që është një qeveri që ka humbur legjitimitetin, kemi kërkuar që e njëjta të votëbesohet në Kuvendin e Kosovës, por siç duket as e para e as e dyta nuk të ndodh.
Prandaj si hap të tretë, duhet ta shohim rrëzimin e qeverisë, dhe kjo duhet të bëhet me bashkim opozitar, para se gjithash dhe mbi të gjitha. Por nuk po sho te opozita që ka një vullnet në këtë drejtim, sidomos te PSD, e cila edhe në Kuvend po ja mundëson kuorumin kësaj qeverie , pra siç duket nuk kanë interes për të shkuar në zgjedhje ngase janë të vetëdijshëm se do humbasin, prandaj edhe nuk janë të gatshëm” është shprehur deputetja e VV-së.

Mirëpo ka thënë se bashkimi kundër qeverisë është i domosdoshëm.

Comments