WESSLAU: Spanja duhet ta njohë Kosovën për ta ruajtur Katalonjën

226

Drejtori i Qendrës për Ballkanin Perëndimor, Rusi, Turqi dhe Evropën Lindore, Fredrik Wesslau, vlerëson se Spanja duhet ta njohë Kosovën nëse dëshiron ta ruajë Katalonjën.

Në një intervistë për të përditshmen serbe “Politika”, ai e quan “konsistencë të çmendur” logjikën se “Madridi, duke e njohur Kosovën, do të pushojë së ndjekuri politikë të qëndrueshme”.

Wesslau, në konstatimin e gazetares së “Politikas” se “Madridi do të dilte nga loja nëse do të luftonte kundër separatizmit në Spanjë, e të përkrahte gjetiu”, u përgjigj haptas.

“Nuk do të ndodhte kjo, sepse Katalonja dhe Kosova janë dy raste krejtësisht të kundërta. Spanja nuk arrin të bëjë dallime thelbësore midis tyre dhe tregon se nuk është në gjendje të dallojë kërkesat legjitime për vetëqeverisje nga separatizmi. Me këtë, ajo sinjalizon se ndoshta edhe Katalonja mund të ketë arsye që të kërkojë pavarësi”, thotë Wesslau, transmeton Koha.net.

Ai ka vlerësuar se “në Kosovë ka pasur luftë, dhe Prishtinën e kanë njohur rreth 100 shtete, kështu që nuk ka kuptim që Madridi vazhdimisht t’i fus në një thes Kosovën dhe Katalonjën, duke thënë, pa e ditur, se Barcelona mund të ketë të drejtë për t’u shkëputur”.

“Për këtë mendoj se vendimi i arsyeshëm për Spanjën do të ishte njohja e Kosovës dhe separatistëve të Katalonjës t’u dërgonte një porosi se nuk kanë të drejtë të kërkojnë shtet siç kanë shqiptarët e Kosovës, se gjendja në Kataloni është krejtësisht ndryshe dhe se Madridi ka çdo të drejtë që të qeveris atje edhe më tej”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Wesslau është autor i tekstit të Këshillit të Evropës për punë të jashtme, i cili mbledh mbi 160 ish-presidentë, ish-kryeministra e ish-ministra si dhe parlamentarë aktualë evropianë, tekst në të cilin thuhet se me njohjen e Kosovës, Spanja do të forconte, e jo dobësonte, pozicionin e saj drejt ruajtjes së Katalonjës.

Në atë tekst, Wesslau pohon po ashtu se është e pamundur që Serbia të kthehet në Kosovë, ndërsa në konstatimin e gazetares se “qeveria në Beograd thotë se nuk është ashtu”, ai thotë se “në katër sy e prapa dyerve të mbyllura, përfaqësuesit e qeverisë serbe tregojnë se e dinë shumë mirë që Serbia e ka humbur Kosovën”, transmeton Koha.net.

Në pyetjen se pse atëherë flasin ndryshe, ai mendon se kjo vjen pjesërisht edhe për shkak se nuk dinë si ta japin lajmin në publik.

Wesslau thotë po ashtu se Qeveria e Serbisë nuk ka iluzion se do ta kthejë Kosovën, por se dëshiron ta “keqpërdorë në mënyrë që të përfitojë sa më shumë në bisedime” me Evropën.

Comments