Xhavit Haliti flet për skandalin me veteranët: Jep zgjidhjen si diket nga kjo situatë

320

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, nuk beson se drejtësia mund ta zgjidhë problemin e listave të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai nuk ka treguar ndonjë ide konkrete se si mund të rregullohet kjo çështje, por ka theksuar se zgjidhja duhet të shihet jashtë organeve të drejtësisë.

Haliti, i cili është një ndër themeluesit e UÇK’së, ka thënë për “Epoka e re” se komandantët e zonave dhe ata të brigadave kanë të dhëna për numrin e ish-luftëtarëve të lirisë.

“Nuk mund të them nëse kanë qenë 60 mijë veteranë, 10 mijë, 12 mijë apo 20 mijë siç po flitet. Shifrat janë të ndryshme por mendoj se askush nuk po ia qëllon”, ka thënë Haliti.

Ai ka shtuar se kjo çështje duhet të rregullohet me gjakftohësi.

“Nuk mund të fshihen të gjithë ata që vërtet kanë kontribuuar për lirinë e vendit”, ka porositur Haliti.

Sipas Halitit, shteti do të falimentohet nga “ky trend i politikës në Kosovë, që të gjithë të bëhen veteranë të arsimit, veteranë të luftës, veteranë të kësaj apo asaj çështje, dhe që të gjithë të paguhen”.

Comments