Yll Limani mbështet fushatën “16 Ditët e Aktivizmit” për luftën kundër dhunës

53

UN Women zyra në Kosovë, ka nisur fushatën vetëdijësuese “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Pjesë e fushatës këtë vit e cila temë qendrore e ka dhunën digjitale, është edhe këngëtari Yll Limanin.

Në partneritet me organizatën Engeneering HER Future, me Policinë e Kosovës dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë e në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), ngjarja lansuese është mbajtur me 24 nëntor në Prishtina Tech Park.

Sipas komunikatës, ky festival që ka mbledhur nxënës të shkollave fillore e të mesme nga e gjithë Kosova, synon t’i fuqizojë të rinjtë që, përmes STEM-it, teknologjisë dhe kreativitetit digjital, të krijojnë zgjidhje që rrisin vetëdijen dhe luftojnë dhunën digjitale ndaj grave dhe vajzave.

“Të bashkuar në kauzë, gjatë ngjarjes fjalë rasti mbajtën Vlora Tuzi Nushi, Udhëheqëse e Zyrës së UN Women në Kosovë, Stephen O’Malley, Koordinator i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Heargreaves dhe zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankovic. Pjesë e fushatës globale sensibilizuese, këtë vit është bërë edhe këngëtari Yll Limani i cili gjatë fjalës së tij ka theksuar se dhuna digjitale ka pasoja të mëdha dhe si e tillë s’duhet të vazhdojë. 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore është një fushatë globale e udhëhequr nga shoqëria civile, e cila zhvillohet nga 25 Nëntori, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, deri më 10 Dhjetor, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, duke theksuar se dhuna ndaj grave është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në mbarë botën”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Këtë vit, derisa bota po e shënon 30-vjetorin e Deklaratës dhe Platformës së Pekinit për Veprim, një nga marrëveshjet më progresive ndërkombëtare për të drejtat e grave deri më sot, fushata UNiTE fokusohet në një nga format me rritjen më të shpejtë të dhunës: dhunën digjitale ndaj të gjitha grave dhe vajzave.

Comments