ZAEV: 96 milionë euro në vit gjitha komunave për investime kapitale

164

Është me rëndësi që komuna e Mogillës ta kapë hapin me tërë Maqedoninë dhe prandaj kërkoj mbështetje sepse komunat për ne janë shumë të rëndësishme dhe është me rëndësi se në cilin drejtim ato do të lëvizin, theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në tubimin e djeshëm në komunën e Mogillës dhe publikisht kërkoi mbështetje që Jasmina Gulevska të zgjedhet kryetare e asaj komune.

Ai theksoi se pjesë përbërëse e programit të Qeverisë është zhvillimi i barabartë rajonal.

“Nuk ka zhvillim në Maqedoni, nëse nuk ka zhvilim të barabartë komunal. Do t’i mbështesim të gjitha projektet e komunës së Mogillës, ndërkaq si shembull do ta ndihmoj projektin për ndërlidhje të re komunikacioni të komunës Mogillë me komunën Prilep përmes fshatit Dobrushevë me ndërlidhjen me fshatin Kanatllarc. Do t’i mbështesim të gjitha projektet në 22 fshatrat e komunës dhe do të hapim vende të reja të punës që të rinjtë të mbesin në Mogillë, të punojnë dhe ta planifikojnë të ardhmen e tyre dhe familjen”, tha Zaev.

Theksoi se është e ditur se komuna është në gjendje të keqe financiare, por, thotë, do ta ndihmojë që të stabilizohet.

“Ne si Qeveri seriozisht do të qëndrojmë prapa komunave në shtet, të cilat në këtë moment kanë gjithsejt 380 milionë euro borxhe. Me mbështetje të drejtpërdrejtë do t’u ndihmojmë t’i kthejnë obligimet që i kanë ndaj ndërmarrjeve vendore, ndërkaq me vetë atë edhe do t’i stabilizojmë që kryetarët e rinj të komunave në Maqedoni të kenë fillim të drejtë dhe të ndershëm. Me zhvillimin e barabartë rajonal të komunave qëllimi ynë përfundimtar është që në vit 96 milionë euro t’u shpërndahen të gjitha komunave për investime kapitale, ndërsa 70 për qind nga ato mjete do të vijnë në komunat rurale me çka do të përmirësohet cilësia e jetës për të gjithë”, theksoi kryeministri Zaev.

Para bashkëqytetarëve të saj dhe mbështetësve të LSDM-së dhe Koalicionit, kandidatja për kryetare të komunës së Mogillës, Jasmina Gulevska theksoi se banorët dëshirojnë një komunë më të bukur të Mogillës.

“I vizituam të gjitha 22 vendbanimet në komunën e Mogillës, biseduam me të gjithë dhe konkluduam se komuna e Mogillës nuk është ashtu siç dëshirojmë të jetë. Komuna e Mogillës duhet të jetë komunë me të cilën do të krenohemi të gjithë dhe do të jemi një ndër komunat më të mira rurale në Maqedoni sepse do ta kemi mbështetjen nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe nuk do të lejohet si deri më tani që komuna të shkatërrohet”, theksoi Gulevska.

Comments