Nga ana tjetër, Ziadin Sela nga ASH në deklaratën e tij për POST.mk tha se ai është pjesë e Qeverisë, por nuk precizoi nëse do të mbetet edhe më tej. Ai akuzoi se BDI-ja, në panik para rrethit të dytë zgjedhor, “përhap dezinformata dhe se Zav është kryeministër, por jo edhe kryetar i partive që janë pjesë e Qeverisë…”!
Mariella Trajkovska
A do mbetet pjesë e Qeverisë së Zoran Zaevit, Aleanca për shqiptarët do të dihet pas zgjedhjeve lokale, thanë zyrtarë të lartë të LSDM-së dhe BDI-së për POST.mk. Jozyrtarisht, Zaev dhe Ahmeti do të presin që Sela pas zgjedhjeve vetë të largohet, por nëse ai nuk e ka këtë për qëllim, atëherë, “ata do t’ia tregojnë derën jashtë ‘Ilindenskës’”.
Nga ana tjetër, Sela në deklaratën e tij për POST.mk tha se ai është pjesë e Qeverisë, por nuk precizoi nëse do të mbetet edhe më tej. Ai akuzoi se BDI-ja, në panik para rrethit të dytë zgjedhor, “përhap dezinformata dhe se Zav është kryeministër, por jo edhe kryetar i partive që janë pjesë e Qeverisë, që të përzihet në atë se kush me kë do të koalicionojë për zgjedhjet lokale”.
Për partinë e Ali Ahmetit, nuk ka dilemë se Sela pas koalicionit me BESËN tanimë është një histori e përfunduar si në Qeveri, ashtu edhe në politikë. Për LSDM-në, Sela vetë i bën vetes trysni në Qeveri, respektivisht tanimë vetë u pozicionua në opozitë.
Pas zyrtarizmit të koalicionit midis Aleancës për shqiptarët në pushtet dhe BESËS opozitare, BDI-ja përmes zëdhënësit të saj, Bujar Osmani, paralajmëroi se Zaev dhe Ahmeti do të duhet të vendosin për pjesëmarrjen e Selës në Qeveri.
“Në prag të rrethit të dytë zgjedhor, BDI-ja është në panik dhe tanimë disa ditë me radhë lëshon në opinion spekulime për Aleancën për shqiptarët. Unë dhe Aleanca për shqiptarët jemi pjesë e koalicionit qeveritar, deklaroi Sela, duke mos konkretizuar nëse pas zgjedhjeve do të mbetet në “Ilindenska”.
I pyetur nëse në takimin me Zaevin kanë biseduar për atë se si do të ndikojë koalicioni midis ASH-së dhe BESËS mbi partneritetin qeveritar, Sela refuzoi të flasë për detajet, “por vetëm zbuloi se ka takime të rregullta me kryeministrin”.
“Ne jemi pjesë e Qeverisë, por si parti kemi autonomi në sjelljen e vendimeve. Zaev është kryeministër, por jo kryetar i partive në Qeveri, që të mund të përzihet se me kë do të bëjmë koalicion”, deklaroi Sela.
Një zyrtar i lartë i BDI-së, madje njoftoi se Sela është histori e përfunduar edhe si partner qeveritar edhe si partner politik. Ai shton se Selës tanimë i është thënë se nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, për shkak të jo principielitetit edhe ndaj BDI-së, edhe ndaj LSDM-së. Sipas tij, Sela prapa shpinës së partnerëve qeveritarë ka bërë koalicion me BESËN. Njëkohësisht, ai me deklaratën se maqedonasit janë kanibalë dhe barbarë dhe se për të nuk është e rëndësishme se çfarë do të mendojë Zaev, “ka vepruar kundër LSDM-së”.
Lidhur me akuzat e Selës se partia e Ahmetit është në panik, nga BDI-ja me përgjigje:
“BDI-ja nuk merret me opozitën. Ne e promovojmë fushatën tonë pozitive”.
Nga LSDM-ja kumtojnë se hapi i fundit i Selës për bashkëpunim koalicioni me BESËN vetëm e ka përforcuar edhe më shumë bashkëpunimin e tyre me partinë e Ali Ahmetit. Paralajmërimet janë se në raundin e dytë zgjedhor socialdemokratët do të dalin në terren me përkrahje të fuqishme për BDI-në.
Prej kësaj, është e qartë se do të ketë rikomponim post-zgjedhor të Qeverisë së Zoran Zaevit. Jozyrtarisht në “Ilindenska” tanimë askush nuk llogarit në Selën dhe paralajmërohet se vendin e Selës në Qeveri do ta marrë PDSH-ja e Menduh Thaçit. Nga atje as pohojnë, e as e demantojnë këtë. Jo zyrtarisht, Zaev në Kuvend do të mund të llogarisë në përkrahjen edhe të deputetëve të GROM-it dhe të disa partive më të vogla etnike.