Zaev dhe Thaçi “gatuajnë” hyrjen e PDSH-së në Qeveri

454

Partnerët qeveritarë LSDM dhe BDI, përveç me Thaçin, takime intensive për zgjerimin e shumicës qeverisëse realizojnë edhe me deputetin e pavarur, Çedomir Sazdovski dhe me përfaqësuesit e komuniteteve më të vogla

Mariella Trajkovska

Po bëhet e qartë se Menduh Thaçi do të jetë partneri i ri qeveritar i Zoran Zaevit dhe Ali Ahmetit, në qoftë se pas zgjedhjeve lokale vjen deri te rikomponimi i Qeverisë, konfirmojnë nga të dyja partitë në pushtet për POST.mk. Mësojmë se Zaev dhe Thaçi tanimë kanë zhvilluar bisedime për hyrjen e PDSH-së në Qeveri dhe se Thaçi ka premtuar se do ta përkrahë kryeministrin.

Partnerët qeveritarë LSDM dhe BDI, përveç me Thaçin, takime intensive për zgjerimin e shumicës qeverisëse realizojnë edhe me deputetin e pavarur, Çedomir Sazdovski dhe me përfaqësuesit e komuniteteve më të vogla.

Siç tashmë ka publikuar POST.mk, Zaev dhe Ahmeti do të presin që pas zgjedhjeve lokale lideri i Aleancës për shqiptarët vetë të largohet nga Qeveria, por nëse ai nuk e ka këtë për qëllim, “atëherë ata do ia tregojnë derën nga ‘Ilindenska’”. Sela në një deklaratë për POST.mk, tha se është pjesë e Qeverisë, por nuk precizoi nëse do të mbetet ashtu.

Marrëdhëniet midis partnerëve qeveritarë u ashpërsuan për shkak të retorikës nacionaliste të Selës dhe pas vendimit të tij të hyjë në koalicion me BESËN opozitare në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Sipas burimeve të koalicionit qeveritar, Thaçi ka siguruar se PDSH-ja do të ishte pjesë e Qeverisë. Nga BDI-ja, përsëritën se për ta, “Sela është një histori e përfunduar”.

“Për dallim nga Sela, Menduh Thaçi edhe gjatë negociatave të Përzhinës u tregua si një partner i besueshëm dhe partner serioz në politikë. Përkundër kësaj, Sela tregoi një naivitet politik dhe lakmi. Thaçi jo vetëm që do t’i takojë një pjesë serioze të kulaçit qeveritar, respektivisht do t’i ndërmarrë pozitat e Selës, por do t’i marrë edhe njerëzit e Selës”, parashikon një zyrtar i lartë i BDI-së.

Prej aty vjen edhe teza e cila sorollatet në opinion, se me hyrjen e Thaçit në Qeveri, “PDSH-ja në derë të madhe do të kthehet në jetë”.

Koalicioni midis Aleancës dhe BESËS edhe më shumë e përforcoi partneritetin qeveritar midis Zaevit dhe Ahmetit. Nga LSDM-ja konfirmojnë se Zaev jo vetëm që do t’u bëjë thirrje anëtarëve dhe simpatizuesve të tij që t’i përkrahin kandidatët e BDI-së për kryetarë komune, “por edhe do të jetë prezent në të gjitha mitingjet dhe takimet e integristëve”.

Qysh sonte Zaev do t’i thërrasë qytetarët e Gostivarit që të përkrahin Nevzat Bejtën për kryetar dhe më e rëndësishmja është se Zaev këtë do ta bëjë edhe në Strugë, ku në garë për kryetarin e komunës janë Ziadin Sela dhe Ramiz Merko nga radhët e BDI-së. Zaev haptazi do të bëjë thirrje që qytetarët ta përkrahin Merkon.

Megjithatë, a do të jetë vetë Sela i cili do të vendosë për daljen nga Qeveria e Zaevit me radikalizmin e tij, do të mësohet pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Sido që të jetë, ndryshimet në përbërjen e qeverisë do të jenë të pashmangshme, sidomos pas retorikës së vështirë të ndërsjellë midis BDI-së dhe Aleancës që e patën për zgjedhjet lokale.

Comments