KRyeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka folur sot edhe për koalicionimin e ASH-së me BESËN për rrethin e dytë zgjedhor si dhe intervistën e liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhënë për një media maqedonase.
I pyetur nëse ky rigrupim nënkupton edhe dalje nga qeveria pas 29 tetorit, Zaev ka thënë se është e drejtë legjitime pasi ka kundërkandidat nga BDI në Gostivar dhe Strugë.
“Megjithatë është e drejtë e Aleancës sesi do të vendosin. Unë pres që koalicioni qeveritar të mbijetojë dhe të forcohet në periudhën që vijon. Por jam i bindur se shumica parlamentare është stabile dhe ajo do rritet”, ka thënë Zaev gjatë vizitës së sotme në Draçevë.
Ai ka shtuar se me PDSH-në nuk ka pasur takim me liderin e asaj partie Menduh Thaçi për koalicionim për shumicë të re parlamentare apo pjesëmarrje në qeveri, transmeton Medial.mk.
Zaev ka rikujtuar se PDSH në muajin mars ka qenë e painteresuar të hyjë në qeveri, si dhe BESA që siç tha, “vendosi të mos hyjë me porositë për çështje të papranueshme”.
Ndërkohë, intervistën e Gruevskit ai e ka vlerësuar kaotike, ndërsa në akuzat për parregullsi zgjedhore Zaev tha se gjatë hyrjes në fushatë të gjitha anketat kanë treguar epërsi të LSDM-së dhe koalicionit.