
Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, ende nuk ia ka ndarë mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, edhe pse, jozyrtarisht, u tha se Ivanov kishte premtuar se një gjë e tillë do të ndodhte këto dy ditë.
LSDM pret që presidenti të respektojë nenin 90 të kushtetutës, i cili e obligon presidentin që mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend.
Zaev, një ditë më parë, i dëshmoi presidentit se gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvend për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë. Konform normave kushtetuese, vendimi i presidentit është çështje ditësh.
Në ndërkohë, vazhdojnë akuzat e VMRO-DPMNE-së në llogari të pretendentit kryesor për mandatar. Sipas partisë së Nikolla Gruevskit, Zaev ka nisur një aventurë të re dhe, sipas VMRO-së, ka vendosur ta shesë dhe ridefinojë Maqedoninë.
“Qytetarët nuk votuan as për ndryshimin e kartëmonedhave, as për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin, as për krijimin e shtetit binacional ose kantonizim. Qytetarët nuk votuan për platformën nga Tirana”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Mirëpo, Zaev konsideron se në zgjedhjet e dhjetorit shumica e qytetarëve mbështetën konceptin e kohezionit në Maqedoni, pasi është konstatuar se vetëm harmonia dhe jondarjet sjellin të ardhme të mirë për të gjithë qytetarët.
Në takimin me ambasadoren e Kinës, Lin Lisjen, Zaev ka thënë se Qeveria e ardhshme e Maqedonisë do të jetë reformuese. “Jemi të gatshëm që të zbatojmë të gjitha reformat e nevojshme që lidhen me përparimin ekonomik të shtetit dhe qytetarëve si dhe sigurimin e institucioneve të pavarura, gjyqësor të pavarur, media të pavarura…”, – thuhet në kumtesën e LSDM-së.

