Zaevi përgatitet për pastrime në qeveri

481
fresco

Të paktën 1/3 e Qeverisë do të preket nga rikonstruimi i paralajmëruar i kryeministrit Zoran Zaev. Ky i fundit këtë e konfirmoi mbrëmë pas mbledhjes së Këshillit Qendror në LSDM. Ndonëse nuk flet për emra konkret, Zaev thotë se rekomandimet nga këshilli i reformave janë për një numër të madh ministrash, zëvendësministrash dhe poste tjera në kuadër të ekzekutivit.

Unë jam afër ndryshimit të 1/3, që nënkupton do të bëjmë zgjedhje të Qeverisë. Nëse ndryshojmë një ose dy, plotësohen kushtet për rikonstruim, kjo është këshillë e këshillit reformuese, pra do të ketë më shumë se 3. Emrat do të bëhen të ditur kur do të kemi vendime. Nga java që pason pres reagimin e Ahmetit, Gashit dhe Thaçit dhe gjithë partnerët e koalicionit. E kam thënë edhe më herët, kemi funksionar të dobët të cilët duhet ndryshuar, pavarësisht nga cila parti politike vijnë- deklaroi Zoran Zaev.

Ministri nga radhët e RDK-së, Suejl Fazliu duke mos pritur që të largohet nga pozita aktuale, thekson se vlerësimin për largimin e tij duhet ta japin qytetarët.

Konstatimi për punën time duhet të dalë së pari nga qytetarët, më pas nga dy partitë politike në koalicion, RDK dhe LSDM dhe siç e thashë çdo vendim i tyre duhet të respektohet- tha Suejl Fazliu, Ministër i Pushtetit Lokal.

Në BDI akoma nuk ka vendime konkrete. Partia e Ahmetit nuk ka vendosur se kush do ta zëvendësoj Hazbi Likën i cili duhet shkarkuar nga Kuvendi për faktin që nuk ka dhënë dorëheqje. Deputeti Artan Grubi, mohon që Zaev të mos ketë pranuar propozimin e Ahmetit, që Sadulla Duraku nga Ministria e Ekologjisë të kalojë në Ministrinë  për Sistem Politk.

Jo absolutisht nuk është diskutuar fare për propozime për ministra, në veçanti për Ministrinë për Sistem Politik. Kanë diskutuar vetëm për identifikimin e mangësive dhe dobësive në funksionim dhe jo për emërimin e njerëzve të rinj ose rikonfirmimin e njerëzve aktual- tha Artan Grubi, Deputet i BDI-së.

PDSH dhe Alternativa akoma nuk kanë zhvilluar takime me kryeministrin për t’i qartësuar pozicionet dhe për t’i dhënë propozimet e tyre për ndryshime, derisa edhe nga këto subjekte mund të ketë funksionar për të cilët kryeministri vlerëson se nuk kanë sjell rezultate të cilët janë pritur.

Adrian Kerimi

Comments