Zafir Berisha: Kam qenë, jam dhe do të jem kundër Gjykatës Speciale

201

Deputeti i Nismas, Zafir Berisha, nuk është parë të jetë shumë aktiv kohëve të fundit në paraqitje televizive.

Por Berisha ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se e ka një arsye për këtë.

“Që nga 22 dhjetori i vitit të kaluar, nuk kam dalë në paraqitje televizive. Për vetë faktin se po them nga 22 dhjetori (tentativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale) është një arsye por i mbetet të kaluarës”.

“Përkundër insistimit të gazetarëve, shpesh herë të interesuar edhe për të bërë top lajme nga zhargoni që përdorë unë, nuk kam pranuar. Por mbetem deputet që kam qenë aktiv, kritik dhe vetëkritik në seanca”.

“Brenda partisë gjithçka është në rregull. Kam qenë dy-tre muaj në aktivitete të zgjedhjeve të brendshme të partisë por nuk e kam ndërprerë angazhimin në seanca, edhe në Komisionet Parlamentare, sepse jam anëtar i dy komisioneve”.

“Puna e deputetit në Komisione vërehet shumë pak derisa opinioni mendon se puna e deputetit është vetëm të qenit aktiv në seancë”.

Berisha që gjithë paraqitjet e tij të rralla nëpër mediume i ka ndërlidhur me tentativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ka thënë se ai nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me këtë Gjykatë.

“Unë i përkas deputetëve që kanë kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Kam lobuar kundër dhe edhe sot jam kundër”.

“Kam qenë, vazhdoj me qenë dhe do të jem kundër pasi llogaris që padrejtësia më e madhe që i është bërë këtij vendi është Gjykata Speciale”.

“Nuk mundet të ma heqë askush prej mendjes se kjo Gjykatë është tendencë për të barazuar luftën e UÇK-së me luftën e Serbisë”.

“Ka qenë, është dhe do të mbetet për mua e papranueshme”.

Sipas tij, “një iniciativë e tillë ishte burimore e dalë nga organizatat e ndryshme dhe qytetarët por në rrugëtim e sipër ka marrë një kahje tjetër”.

“Ideja ishte për të bërë ndryshime brenda Ligjit për Gjykatën, në fund doli që dikush donte ta shfuqizonte dhe u krijua një amulli, që tash besoj se edhe opinioni e ka të qartë se kush ka tentuar çfarë të bëjë”.

“Vazhdoj ta kem qëndrimin e njëjtë që kam pasë prej fillimit – kjo Gjykatë është e dëmshme”.

Comments