Zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme Maria Zaharova sot doli me qëndrim se marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë nuk mbështetet në konsensus të gjerë, përcjell Medial.mk.
Ajo në murin e saj në Tuiter publikoi se marrëveshja në vend të bëjë bashkim, po shkakton ndarje mes dy vendeve.
“Zgjidhja e emrit duhet të mbështetet në konsensus të gjerë shoqëror dhe bazë të përsosur kushtetuese. Marrëveshja e Prespës nuk është rast i tillë. Ajo shkaktoi vetëm ndarje edhe në Greqi edhe në Republikën e Maqedonisë”, publikoi Zaharova në Tuiter.
Zaharova javën e kaluar deklaroi se synimi i NATO-s mekanikisht të zgjerohet në Evropë nuk mund ta përforcojë sigurinë, ndërsa tërheqja e sforcuar e Maqedonisë në këtë bllok ushtarak, vetëm konfirmon se “politika e dyerve të hapura” po bëhet qëllim në vete.
Ajo atëherë në brifingun e gazetarëve në Moskë mes tjerash tha se tërheqja e sforcuar e Maqedonisë në NATO paraqet instrument për fitim të hapësirës gjeopolitike.
“Bëhet fjalë, në të vërtetë, vetëm për një – për të arritur përparësi ushtarake”, deklaroi Zaharova më 12 korrik, kur Maqedonia edhe zyrtarisht mori ftesë për anëtarësim në NATO.

