Zbulohen motivet e të shtënave në Sheshin e Prishtinës


Siç dihet në sheshin qendror të Prishtinës, ditën e premte në mbrëmje, pati një të shtënë arme. Një i ri adoleshent ka qëlluar në ajër me pistoletë, pasi ka pirë disa birra.
Masa e njerëzve, e cila ka menduar se birra është “haram” ndaj djaloshi ka qëlluar, ja mbathi me vrap në gjithë drejtimet. Sipas të dhënave të para, rreth 40 vetë janë plagosur nga ikja dhe asnjë nga plumbi.
Ngjarja ka lënë gjurmë të thella në qytetin e Prishtinës, aq sa kryebashkiaku Ahmetaj, njoftoi se anullon Festën e Birrës.
Kjo u duk si dorëzim para fondamentalistëve të Imamit Shefqet, që predikojnë se birra është harram.
Por qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Mbrojtes ka bërë një sqarim publik që ka qetësuar situatën.
Në sqarim thuhet:
“Bëjmë me dije se Ministria e Mbrojtjes, përfundoi me sukses stërvitjen interaktive, “Festbirra 2016” në Prishtinë. Gjatë kësaj stërvitje, ne kemi dashtë të testojmë a është qetësuar populli ynë nga krismat e armëve, apo ende i ka frikë.
Sic e dini në vitin 1999, sapo u dëgjuan krismat e para rreth 1 milionë vetë mbërritën në kufirin e Morinës dhe Hanit Elezit.
Në përpjekje për ta verifikuar si jemi me situatën organizuam stërvitjen interaktive “Festbirra 2016” dhe një njeriu ynë, qëlloi me pistoletë lodër në ajër.
Ajo që ndodhi ishte e trishtueshme. Njerëzit lanë menjeherë birrat dhe vrapuan nga sytë këmbët në të gjithë drejtimet. Rreth 40 të plagosur është bilanci i parë, që vjen kryesisht nga shkeljet e njerëzve njëri mbi tjetrin.
Mes të lënduarve ka dhe femra dhe adoleshentë.
Ky ishte dhe objektivi i stërvitjes sonë. Me këtë stërvitje, ne provuam që ende populli ynë ka problem me stresin nga armët dhe nuk don luftë. Kështu që Ministra jonë do të quhet ende Ministria e Mbrojtjes dhe jo e luftës, pasi nuk jemi gati për luftë.
Nga ana tjetër, duhet me shtu në marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, që ushtarët malazezë të mos shtijnë kurrë në ajër dhe të ndalohet gjuetia në brezin kufitar, pasi ushtarët tanë mund të baktisin vendrojen.
Testi i djeshëm provoi se ne ende nuk i kemi riparuar pasojat e politikës paqësore të Ibrahim Rugovës dhe ende nuk na kan ik pasojat e politikës luftënxitëse të Hashim Thaçit. Për këtë arsye ju ftojmë të dilni sërish sot në Festën e Birrës, se nuk bëjmë më shaka të tilla.”