Zbulohet detaji që i tradhtoi autorët nga grabitja e bankës në Bllok

470
fresco

midle

vjedh

Sipas versionit përfundimtar të policisë, Roland Liti Zekaj sëbashku me Alan Babameton, kanë hyrë nga porta jeshile dhe kanë dalë nga mbrapa bankës, në parkingun privat ku dhe ndodhej dritarja me telat pjesërisht të hapura, pasditen e së premtes datë 5 Gusht së bashku me veglat dhe ushqim kanë qëndruar në bodrum për dy ditë.

Ata dyshohet se fillimisht nga pjesa e brendshme kanë ndërruar fishekun e derës së ish pab-it në bodrum, që të mos hynte njeri dhe më pas kanë tentuar të hapin me çekiç, daltë, dhe kriko murin në pjesën lindore të dhomës, për të depërtuar më mirë në brendësi, por kanë hasur në beton dhe në këtë moment rreth orës 20 e 15  është aktivizuar alarmi i censorit sizmik i instaluar në dhomën kasafortë, çka përbën tentativën e parë për çarjen e murit. Pas kontrollit të përciptë të drejtorit të bankës dhe shefit të sigurisë nuk është konstatuar gjë, raporton TV Klan.

Sipas ekspertëve të grupit hetimor duke hasur në vështirësi, dy autorët janë zhvendosur në magazinën e bodrumit, ku ndodhet muri ndarës me dhomën kasafortë të bankës dhe me krik, kanë hapur fillimisht murin që të çon në dhomën kasafortë ku kanë tentuar ta hapin sërish me krik, daltë dhe çekiç.

Në orën 05:00 të mëngjesit të datës 6 Gusht, ka rënë sërish sinjali i alarmit që është vlerësuar vetëm pas 5 orësh , në orën 10 të paradites, ku është bërë sërish kontroll në të njëjtën mënyrë dhe nuk është konstatuar gjë.

Në mbrëmjen e datës 6 Gusht, njëri prej autorëve ka depërtuar në brendësi, siç duket dhe nga foto dhe me një elektrik në dorë ka arritur të marrë nga dhoma shumën prej rreth 200 milionë lekëve dhe më pas janë larguar. Autori i tretë, Robert Kulla, dyshohet se ka ndihmuar nëpërmjet bashkëpunimit dy autorët.

Grabitësin Roland Liti e ka tradhtuar një shishe uji e harruar në vrimën e hapur në murin e pasmë të bankës, ku shenja e gishtit mbi shishe, çoi në arrestimin e tij.  Ai ishte skeduar dhe dënuar më herët nga gjykata për vjedhje dhe grabitje, por sa herë që është arrestuar për vjedhje, Liti justifikohej se ishte në gjendje të dehur.

Janë zbuluar fotot e Roland Litin (Zekaj ), 38-vjeçari i cili dyshohet se në bashkëpunim dhe me një person tjetër, të ketë hyrë në bodrumin e një biznesi privat dhe më pas të ketë kryer grabitjen përkatësisht në data 5 dhe 6 Gusht.

Comments