Zbulohet ekspertiza, ja pse vdiq gruaja së bashku me foshnjën

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vdekjen e 35-vjeçares Aida Çajka, në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.
Burime nga policia thanë se, ka dalë ekspertiza paraprake e mjekësisë ligjore, sipas të cilës vdekja e 35-vjeçares ka ardhur si pasojë e një hemorragjie të brendshme. Ndërkaq janë duke vazhduar hetimet për pretendimet e familjarëve të 35-vjeçares.
12:31 Policia jep detaje: Si u njoftuam për vdekjen e nënës dhe foshnjës
Policia e Tiranës ka dhënë sqarimin e parë publik lidhur me ngjarjen e rëndë në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, ku një grua 35-vjeçare humbi jetën së bashku me foshnjën e saj.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 06:00, mjekët e Spitalit “Koço Gliozheni”, kanë lajmëruar tek numri 112 se kanë një konflikt në pavionin e urgjencës. Në momentin e arritjes së shërbimeve në urgjencën e spitalit kanë konstatuar derën e pavionit të dëmtuar si dhe xhamat.
Gjithashtu mjekët kanë sqaruar se ka vdekur foshnja e porsalindur, dhe familjarët e irrituar kanë shkaktuar dëmet në pavion. Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes shërbimet kanë ftuar shtetasin F. O. (i vëllai) që të kalonte me to në komisariat për një deklaratë.
Rreth orës 07:00 kanë njoftuar mjekët e spitalit se ka vdekur Aida Koçi, 35 vjeçe, banuese në Tiranë. Menjëherë është bërë e mundur që shtetasi F. O. të kalojë tek spitali.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka tërhequr regjistrat e spitalit dhe janë shoqëruar për të dhënë deklarata mjekët që kanë qenë në punë. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
(09:46) Humbin jetën në maternitet nëna me foshnjën, familjarët akuzojnë spitalin
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Spitalin Obstetrik–Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Një nënë 35-vjeçare, e identifikuar si Aida Çajka, ka humbur jetën së bashku me foshnjën e saj të sapolindur.
Gruaja nga Paskuqani kishte shkuar dje në mbrëmje rreth orës 21:00 në maternitet për të sjellë në jetë foshnjën e sj. Familjarët pretendojnë se vdekja e nënës dhe foshnjës ka ardhur për shkak të neglizhencës së mjekëve dhe stafit të spitalit në tërësi.
Familjarët rrëfejnë se kur kanë shkuar në spital Urgjenca ka qenë e mbyllur dhe për pasojë u është dashur të qëndrojnë për rreth 20 minuta në pritje. “Mjekët kishin dyshuar për zemrën, pastaj për ftohje, duke mos i dhënë asaj ndihmën e duhur”, shprehen ata në një prononcim për mediat.
I pyetur nëse kishte mjek roje, kunati i viktimës thotë për “Ora news”: ” Po por erdhën me shumë vonesë. Kirurgu erdhi dy orë me vonesë. Kishte probleme me tensionin. Na thirrën në orën 05:00 e na thanë fëmija ka vdekur. Tani po mundohemi të shpëtojmë të madhen. Të madhen të shpëtonin të paktën. Ajo ka vdekur në 05:10 por ne e mësuam në 06:10 minuta”.
Ndërkohë, mësohet se është shoqëruar në polici vëllai i të ndjerës, i cili gjatë momenteve të dëshpërimit ka thyer derën në ambientet e brendshme të spitalit. Trupi i pajetë i nënës dhe foshnjës është dërguar në spital, ku do tu bëhet autopsia për të zbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes së tyre.
Dy oficerë të Prokurorisë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në maternitet duke nisur hetimin për vdekjen e gruas dhe foshnjës. Oficerët kanë kërkuar librin e mjekëve që duhej të ishin në turn dhe protokollin e ndjekur.
Në një komunikim telefonik për “News24”, drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni” tha se “s’mund të jap ende përgjigje se po merret në dorë nga oficerët e komisariatit nr.1. “Pasi të dalë edhe diagnoza e mjekut ligjor, jemi duke analizuar rastin dhe jam e zënë me këta njerëz që po merrem me ta dhe do analizojmë rastin nëse Urgjenca ka qenë e mbyllur dhe pse ka qenë e mbyllur”, tha Rubena Moisiu.
