Përdorimet e ndryshme të vajit të ullirit datojnë mijëra vite më parë. Që në lashtësi, pema e ullirit konsiderohej e shenjtë dhe vaji i ullirit përdorej për kura të ndryshme popullore kundër inflamacionit, të cilat janë përmendur në shumë prej artikujve të AgroWeb.org.
Në ditët e sotme, vlerat e vajit të ullirit janë të provuara shkencërisht ndërkohë që përdorimet e tij vërehen në produktet e kujdesit të lëkurës, siç janë kremërat hidratues, eksfoliantët, locionet pastruese, tonikët, sapunët e të tjerë,
Vaji i ullirit ka një përmbajtje të lartë të acideve yndyrore, veçanërisht atij oleik që ndihmon në rikthimin e lagështisë natyrale të lëkurës. Për më tepër, ky acid mbron membranat e qelizave ndërkohë që vitaminat, veçanërisht ajo E, luftojnë radikalet e lira. Në këtë mënyrë proçesi i plakjes së lëkurës ngadalësohet.
Vaji i ullirit është një produkt i shkëlqyer për ushqimin, rigjenerimin dhe zbutjen e lëkurës dhe të flokëve. Nëse dëshironi të përfitoni prej këtyre vlerave, AgroWeb.org ju rekomandon trajtimet e mëposhtme:
Kremi i konturit të syve: Ngrohni tre lugë gjelle me vaj ulliri, një lugë çaji me dyll, gjysëm luge çaji me gjalpë kakao në banjë mari. Më pas, lëreni masën e krijuar të ftohet dhe shtoni dy lugë gjelle me lëng trëndafili. Përzijeni deri sa të formohet një pastë e njëtrajtshme dhe e trashë, e cila mund të përdoret në zonën përreth syve.
Maskë për lëkurë të thatë: Përzieni 1 lugë gjelle me vaj ulliri, të bardhën e një veze, një lugë me tul avokado dhe një lugë gjelle me mjaltë. Maskën vendoseni në fytyrë dhe mbajeni për 10 minuta. Më pas shpëlajeni fytyrën.
Pastrues: Përzieni gjysëm filxhani me vaj ulliri, 3 lugë gjelle me sheqer dhe një lugë gjelle me tërshërë. Përdoreni në lëkurë me lëvizje rrethore. Ky eksfoliant do të largojë qelizat e vdekura dhe do ta mbajë lëkurën të butë dhe të ushqyer.
Ushqyes për lëkurën e duarve: Hidhni disa pika vaj ulliri në duar dhe masazhojeni lëkurën. Vendosni doreza plastike dhe lëreni vajin të veprojë për 15 minuta.
Trajtim për ushqimin e flokëve: Fërkoni flokët nga rrënjët tek majat me vaj ulliri. Masazhoni skalpin për 5 minuta për të stimuluar qarkullimin e gjakut dhe forcuar flokët. Mbulojeni kokën me një napë fanellate për 10 minuta dhe më pas lajini flokët si zakonisht./AgroWeb.org