Zelensky udhëton drejt ShBA-së për të kërkuar raketa Tomahawk

112
fresco

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet me Presidentin e ShBA-së Donald Trump në Uashington të premten, ndërsa Trump do të shqyrtojë nëse do ta pajisë Ukrainën me raketa Tomahawk të afta të godasin thellë në Rusi.

Takimi i tyre vjen një ditë pasi Trump tha se ishte arritur “përparim i madh” gjatë një telefonate me Presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin palët ranë dakord të zhvillonin bisedime ballë për ballë në Hungari.

Trump tha se telefonata, e para me Putinin që nga mesi i gushtit, ishte “shumë produktive”, duke shtuar se ekipet nga Uashingtoni dhe Moska do të takohen javën e ardhshme, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa Zelensky mbërriti në ShBA, vizita e tij e tretë që nga janari, ai tha se Moska po “nxitonte të rifillonte dialogun sapo të dëgjonte për Tomahawkët”.

Zelensky i ka bërë thirrje ShBA-së që t’i sigurojë Ukrainës raketat e përparuara, të cilat kanë një rreze veprimi prej 2,500 km (1,500 milje).

I pyetur më parë këtë javë nëse Trump po shqyrtonte dhënien e raketave Tomahawk për Ukrainën, ai tha: “Do ta shohim… Mund ta bëj”.

Por i pyetur për të njëjtën perspektivë pas telefonatës së tij me Putinin, Trump tha se “nuk mund t’i shterojmë” rezervat amerikane të Tomahawk-ëve, duke shtuar “edhe ne kemi nevojë për to… kështu që nuk e di se çfarë mund të bëjmë në lidhje me këtë”.

Comments