Zgjedhjet 2016, Thaçi: Vendimmarrje me konsensus

95
Thaçi theksoi edhe një herë se platforma e partisë së tij mundëson status të barabartë të shqiptarëve dhe maqedonasve, por me këtë sistem elektoral dhe zgjedhor që ekziston shqiptarët asnjëherë nuk mund të kenë numër të njëjtë të deputetëve me maqedonasit.
Thaçi premtoi se po i fitoi zgjedhjet, ai do të zë vendin e zëvendëskryeministrit dhe do të tregojë kujdes të posaçëm për shqiptarët, pasi është i bindur se shqiptarët duhet ta kenë njeriun e tyre përfaqësues në qeveri, zëvendëskryeministri të ketë nënshkrimin e lidhur me kryeministrin që asnjë vendim i qeverisë të mos kalojë në finalizim pa këto dy nënshkrime, ndërsa vendimmarrja e Parlamentit për çështje mes shqiptarëve dhe maqedonasve të bëhet me konsensus jo me mbivotim.
Lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, tha se “Ne kemi projekt të saktë dhe të sigurt. Nuk do të tolerojmë që represioni i Qeverisë së Maqedonisë dita-ditës të shtohet në variante dhe në mënyra të tjera. Këta duhet të ndryshohen! Duhet të vijë ndryshimi i madh! Dhe, nëpërmjet votës së lirë, ne duhet t’i themi gjithë botës së përparuar se ne jemi jashtëzakonisht të pakënaqur me këtë gjendje që e kemi! Nuk mund kështu të na maltretojnë edhe më tej”,– ka deklaruar Thaçi.
“Çështja e parë që duam ta arrijmë menjëherë pas këtyre zgjedhjeve tek shqiptarët e Maqedonisë është që ta ngrisim mekanizmin e vendimmarrjes në vendimmarrje me konsensus të plotë me maqedonasit. Nëse ne vazhdojmë t’i paraqesim kërkesat para maqedonasve në këto konstelacione juridike dhe kushtetuese, me këtë sistem zgjedhor dhe elektoral, a mendoni se ndonjëherë shqiptarët do të kenë deputetë sa maqedonasit. Nga përvoja e madhe 20-vjeçare kam ardhur në përfundim se shqiptarët duhet ta kenë njeriun e tyre përfaqësues në institucionin më të lartë të shtetit në qeveri, zëvendëskryeministrin, i cili do ta ketë nënshkrimin e lidhur me kryeministrin dhe asnjë propozim-vendim, asnjë vendim i qeverisë nuk mund të shkojë për finalizim në parlament pa i pasur këto dy nënshkrime, ndërsa vendimmarrja e parlamentit për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë mes shqiptarëve dhe maqedonasve do të jetë vendimmarrje me konsensus jo me mbivotim. Nëse ne nuk i përmbahemi këtij përcaktimi dhe kësaj platforme, ne në mënyrë të automatizuar do të bëhemi në Maqedoni pakica boshnjake, pakica rome, pakica turke… Dhe realisht kjo betejë duket shumë e rënd dhe shumë e vështirë, po unë ju betohem se kam një siguri të plotë se këtë herë fitorja do të jetë e plotë”,– deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, apelon tek qytetarët që t’i përmbahen platformës së kësaj partie, sepse në të kundërtën me automatizëm do të shndërrohen në pakicë.
“Nëse ne si shqiptarë të Maqedonisë nuk u japim një ndalesë që më tutje të merret me politikë kjo strukturë e Ali Ahmetit, i thoni lirisht popullit: zullumqarët 10 herë do ta rrisin zullumin me datën 12. Kjo është mënyra më e mirë për t’i ndalur ata. S’duhet aspak të harxhojmë energji, gjuaj me gurë, mos t’i lëmë të hyjnë nëpër vende e kështu me radhë, energjia që duhet të harxhohet dhe të kanalizohet është t’i bindim të gjithë shqiptarët se me votë po të gjuhet Ali Ameti, ajo është hakmarrje”,– theksoi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Para banorëve të Çellopekut lideri i PDSh-së, Thaçi, apeloi deri te votuesit që të mos tregojnë urrejtje dhe të mos ushtrojnë dhunë ndaj asnjë subjekti politik, por të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për të dënuar subjektet politike.
“Duhet t’i bindim të gjithë shqiptarët se vota kundër BDI-së do të jetë hakmarrja më e madhe e popullit për këto padrejtësi që po i bëjnë me vitet të tëra strukturat e BDI-së”,- tha kreu i PDSh-së, Menduh Thaçit.
Thaçi kërkoi nga votuesit që të kenë shumë durim, të shkojnë  në çdo derë, tek çdo njeri dhe t’i pyesin se si e kanë gjendjen sot qytetarët shqiptarë, si janë rrugët, kanalizimi, arsimimi, shëndetësia, sistemin pensionale.
Sipas Thaçit, përgjigjja e tyre do të jetë se shqiptarët janë në gjendje të mjerueshme. Është moment vendimtar që kjo gjendje e keqe të ndalet dhe kësaj mund t’i jepet fund vetëm kur votuesit do të votojnë kundër Ali Ahmetit, theksoi kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
Ai ftoi banorët e kësaj ane që të mbështesin projektin e PDSh-së për të rritur cilësinë e jetesës në Maqedoni dhe për të rikthyer vendin në rrugën euroatlantike.
Comments