Zgjedhjet 2016, Thaçi: Vota pro PDSh-së, votë kundër zullumqarëve

134
Gjatë paraqitjes së tij, kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi, kërkoi votën e shqiptarëve të kësaj ane për të larguar, siç tha ai, pushtetin e kriminalizuar si në nivel qendror po ashtu edhe në nivel lokal.
Sipas Thaçit, Struga është qyteti që po përballet me diskriminim dhe kriminalizim të dyfishtë.
“Qyteti i Strugës, për dallim prej zonave të tjera shqiptare, ballafaqohet me zullum të dyfishtë. Pushtet qendror kriminal nga BDI dhe pushtet lokal kriminal, i cili e kriminalizoi këtë qytet, fatkeqësisht, këtë qytet i cili ishte i njohur në një nivel të lartë të civilizimit dhe kulturës. Mendoj se vota pro PDSh-së do të jetë votë e sigurt kundër këtyre zullumqarëve dhe të jeni të sigurt se 11-shi në mbrëmje nëpërmjet mekanizmit të votës, edhe pse këta zullumqarë duken të fuqishëm, kanë shumë pushtet, lokal apo qendrorë, kanë shumë financa, kanë shumë forcë, fuqi, vota është hyjnore, për një sekondë ua këput krejt forcën dhe krejt fuqinë. Bashkimi me  PDSh-në d.m.th. fillim i një jete më të lumtur prej 12 dhjetorit. Ky program dhe kjo platformë janë të rënda për maqedonasit dhe në shumë vende më thonë se a do të mund t’i realizoni. Unë mund të kem shumë mungesa si njeri, por naivitetin nuk e kam dhe i ri nuk jam. Jam plotësisht i vetëdijshëm se për maqedonasit kjo do të jetë shumë e rëndë dhe vështirë do ta kapërdijnë, por ne duhet t’i themi popullit tonë sa më shumë që marrim mbështetje më datën 11, sa më shumë që merr mbështetje ky program dhe kjo platformë, sigurisht se edhe rruga jonë do të bëhet më e shpejtë dhe më e realizueshme”,- tha kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
Thaçi e quajti dyfytyrësi dhe nënçmim premtimin e BDI-së për zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe anëtarësimin në NATO, edhe pas 15 vite pushtet.
Prandaj, ai ftoi votuesit shqiptarë që të mbështesin platformën e PDSh-së, e cila, sipas tij, mbështetet në dy shtylla: në zgjidhjen e të drejtave kolektive përmes vendimmarrjes me konsensus dhe ndërprerja e diskriminimit ekonomik.
Gjatë prezantimit të programit, kreu i PDSh-së kërkoi nga votuesit që të dalin në zgjedhje, pasi, sipas tij, vetëm me votë jepet dhe merret pushteti.
“Vota është një çështje shumë e rëndësishme, që e bën jetën e një njeriu ose të një kombi të bardhë ose të zezë”, – theksoi Thaçi.
“Vota që do të jepet nga shqiptarët, më 11 dhjetor, do ta zbardhë këtë kohë të zezë të 15 vjeçarit të qeverisjes së BDI-së dhe të Ali Ahmetit. Ne kemi në platformën tonë, dy shtyllat kryesore, që janë botërisht të ditura dhe që kohëve të fundit po i imitojnë edhe partitë e tjera. Por, gjithmonë imitatori duket më keq se origjinali,- shtoi Thaçi. Shtylla e parë e platformës është që ne, përfundimisht, shqiptarët e Maqedonisë, duhet të kenë një pozicion, jo t’i kërkojnë të drejtat një nga një, matematikisht, por t’i kërkojmë të drejtat një herë e përgjithmonë, në aspektin kolektiv si komb. Mekanizmi që përshpejton dhe garanton këtë të drejtë që quhet e drejtë etnike dhe kombëtare, është mekanizmi i konsensusit të plotë në institucione të sistemit dhe Parlamenti i Maqedonisë të punojë me dy dhoma. Dhoma ku vendosen çështjet etnike në asnjë mënyrë nuk guxon të ketë mbivotim”,- tha kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
Çështja e dytë, apo shtylla e dytë e programit të PDSh-së është urgjenca për përmirësimin e ekonomisë shqiptare, ekonomisë së familjes shqiptare, e cila, sipas Thaçit, është në shkatërrim e sipër.
“Është në rënie të lirë. Rënia e lirë e ekonomisë na shkatërroi këtë pjesë të kombit që ka ngelë këtu. Eksodi masiv i familjeve shqiptare, kohëve të fundit, në Islandë e Zelandë të Re, në Kanada dhe në vende shumë të largëta është një braktisje përgjithmonë i vendlindjes dhe e territoreve tona”- deklaroi Thaçi para simpatizantëve në Veleshtë.
Ndryshimin e kësaj gjendje PDSh pretendon ta ndryshojë përmes Ligjit për faljen e borxheve publike ndaj shtetit, i cili përnjëherë duhet të hyjë në fuqi.
Vakuumi financiar që mund të krijohet nga kjo masë do të plotësohet me uljen e reprezentacionit të funksionarëve të PDSh-së prej 100% në 10%. Sipas tij, me këtë ulje do të sigurohen 10 milionë euro.
“Ndoshta ne i kemi borxh shtetit nga nja 20 euro, 50 apo 150 euro, por, ky shtet ne na ka borxh 1 miliardë e 600-700 milionë euro prej buxhetit të shtetit, të cilat mjete duhet të vijnë te ne, por, fatkeqësisht, në qeverisjen e BDI-së këto mjete shkojnë te maqedonasit”,– theksoi Thaçi.
Përveç programit dhe platformës, kreu i PDSh-së u lëvdua edhe me skuadrën e tij. “Pdsh i ka kandidatët më të mirë, më të përgatitur dhe më të mobilizuar në aspektin kombëtar”, – deklaroi Thaci
“Ne sonte vijmë nga shumë takime, nga Manastiri, Prespa, Ohri, ku kam folur shumë për platformën e PDSh-së, kam përmendur aspektin se si PDSh-ja  në platformën e vet ka program ekonomik që shqiptarëve t’u sigurojë një stabilitet dhe një mirëqenie ekonomike dhe se si ne më 11 dhjetor duhet nëpërmjet votës t’i themi jo shpifjeve, mashtrimeve. T’u themi jo gënjeshtrave dhe të rrethojmë numrin dy, alternativën time dhe të Eminit, dhe të të gjithë të tjerëve, ku ne do të dalim fitimtarë, me çka do të përmirësohet edhe jetesa e shqiptarëve, do të përmirësohet edhe përfaqësimi ynë, do të përfaqësohet kombi shqiptar”,- u shpreh kandidati për deputet nga PDSh, Adrian Useini.
Në tubimin në Veleshtë, PDSh sqaroi sistemin zgjedhor dhe modelin e Dontit. Sipas Thaçit, ndarja e votës shqiptare, sidomos në njësinë zgjedhore numër pesë, me automatizëm shkon në favor të partive maqedonase
Comments