Zgjedhjet lokale 2017, BESA përmbyll fushatën zgjedhore
Lëvizja BESA ka zhvilluar aktivitetet përmbyllëse për komunat e Çairit dhe Sarajit, ku është në balotazh të dielën.
Kandidati i BESËS për komunën e Sarajit, Bashkim Bakiu, ftoi qytetarët që sa më masovisht të dalin dhe të votojnë të dielën për të sjellë ndryshimin për këtë komunë. Ai i bëri thirrje edhe MPB-së që të jetë më vigjilente në kryerjen e detyrës, që nënkupton monitorimin e zgjedhjeve, sepse vëzhguesit dhe aktivistët e BESËS kanë vërejtje për punën e tyre, sepse janë lejuar aktivistët e partive të ndryshme të bëjnë presione. Sipas tij, Lëvizja BESA nuk do të ketë tolerancë për parregullsitë që do të evidentohen dhe nuk do të ketë mundësi për manipulime.
“Do të jemi zero tolerantë ndaj çdo parregullsie ndaj cenimit të votës dhe ndaj çdo veprimi që shkakton ndërprerjen e votës. Ne këtë qëndrim e kemi marrë në bazë të vëzhguesve tanë, në bazë të sugjerimeve nga komisionarët nga vëzhguesit dhe kësaj radhe zero tolerancë ndaj çdo njëri që do të tentojë të ndërpresë procesin zgjedhor për banorët e komunës së Sarajit”,- deklaroi kandidati për kryetar komune në Saraj nga Lëvizja BESA, Bashkim Bakiu.
Kandidati i BESËS për komunën e Çairit, Zeqirija Ibrahimi, tha se do të jetë në shërbim të banorëve, do të merret me zgjidhjen e problemeve të tyre pa marrë parasysh bindjet politike, përkatësinë etnike dhe religjioze. Sipas Ibrahimit, qytetarët duhet të marrin pjesë masovikisht në zgjedhje për t’u dëshmuar atyre që dëshirojnë të manipulojnë me votat e tyre, se shqiptarët nuk janë në shitje dhe nuk manipulohen. Ai më tej u bën thirrje votuesve që të mos bien pre e asnjë lloj forme të presionit apo të kërcënimeve nga ky pushtet, që, sipas tij, po përjeton ditët e fundit. Po ashtu, Ibrahimi tha se personat që do të guxojnë të manipulojnë me votën e qytetarëve nuk do të lejohen, sepse Lëvizja BESA ka evidentuar vendet ku është bërë manipulim me votën e lirë të qytetarëve.
“I ftoj të gjithë të mos bien viktimë e asnjë forme të presionit, të zhvatjes, kërcënimit, presioneve tjera… U them atyre që do marrin guximin të manipulojnë me vullnetin e lirë të qytetarëve se ne nuk ua falim as sot, as asnjëherë. Ne dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur në Çairin në rrethin e parë, ne e dimë edhe klasën se ku janë mbushur kutitë, por kjo nuk do të ndodhë më lehtë do të shihet në burg sesa të mbushen kutitë edhe një herë”,- u shpreh kandidati për kryetar komune në Çair nga Lëvizja BESA, Zeqirija Ibrahi.
Kandidatët e BESËS premtuan se do të punojnë për jetë cilësore për banorët e komunës së Sarajit dhe të Çairit.