Zgjedhjet lokale 2017, BESA – vizioni për Komunën e Vrapçishtit

286

Kandidat i Lëvizjes BESA për kryetar komune në Vrapçisht, Rexhep Rexhepi….

Kandidat i Lëvizjes BESA për kryetar komune në Vrapçisht, Rexhep Rexhepi, mbrëmë mbajti takim me qytetarët në fshatin Toplicë. Ai u zotua se nëse më 15 tetor merr besimin e qytetareve, do të zgjidh problemin me papunësinë e të rinjve, do të realizojë punime në fushën e infrastrukturës, do të vendos komunikim me diasporën.

“Ne shpresojmë se në të ardhmen, nëse unë bëhem kryetar i Komunës së Vrapçishtit, me ekipin tim profesional do të hap një faqe të re për këtë komunë dhe të gjitha problemet e qytetarëve do t’i zgjidh në rrugë institucionale”,- tha kandidati për kryetar komune në Vrapçishtë, Rexhepi, duke shtuar se prioritet do ketë pastërtinë publike, infrastrukturore dhe shërbimet profesionale komunale.

“Ne si Lëvizje BESA do të angazhohemi maksimalisht në zhvillimin ekonomik lokal. Zhvillimi ekonomik lokal do të jetë përparësi e punës tonë, fillimisht themelimi i inkubatorëve afarist për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me qëllim të avancimit apo punësimit të të rinjve tanë. Bashkëpunimi me diasporën dhe mundësimi i kushteve të mira për investim. Pse mos të investohet këtu për fabrikë dhe shumë çështje tjera ku popullata jonë mund të punësohet. Gjithashtu mbështetje do t’i japim edhe bujqësisë dhe blegtorisë përmes themelimit të qendrave informative, me ç’rast do të kenë sa më shumë qasje miqtë tanë në IPA fondet”,- deklaroi kandidati për kryetar komune në Vrapçisht – Lëvizja BESA, Rexhep Rexhepi.

Shefi i shtabit zgjedhor nga Lëvizja BESA, Afrim Gashi, kërkoi nga banorët e kësaj ana që deri në fund të fushatës zgjedhore të angazhohen maksimalisht, duke shkuar në çdo shtëpi për të shpalosur programin e tyre dhe për arsyetuar para qytetarëve se pse me 15 tetor duhet të votohet kandidati i Lëvizjes Besa.

“Në esencë jemi të drejt dhe të mirë vetëm na duhet një vullnet që këtyre njerëzve do t’ju japë përparësi dhe jam i bindur se e ardhmja jonë do të jetë e mirë e ndritshme. Uroj që me 15 tetor bashkërisht të kalojmë një herë në raundin e dytë dhe me 29 tetor ta shpallim fitoren. Fitore e cila do të filloj të zgjidh problemet e jo fitore sa për tu gëzuar Rexhepi dhe disa njerëzve se ja ka korrur fitore BESA”,- u shpreh shefi i shtabit zgjedhor – Lëvizja BESA, Afrim Gashi.

Edhe kandidati i Lëvizja BESA për Komunën e Sarajit, Bashkim Bakiu, dje ka realizuar takim me banorët e fshatit Bukoviç. Bakiu para banorëve ka thënë se deri më tani pikërisht Komuna e Sarajit ka qenë model se si nuk duhet të udhëhiqet me një komunë. Sipas tij, vendbanimet në komunën e Sarajit meritojnë të kenë infrastrukturë funksionale shkolla me standard modern, mjedis ekologjik, shërbime lokale më afër qytetarëve si dhe administratë komunale efikase. Ai u zotua se nëse merr besimin e banorëve të komunës së Sarajit, që nga dita e parë e marrjes së mandatit do të filloj të realizoj projektet të cilat i ka paraparë për këtë komunë.

“Dita kur qytetarët mund të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e situatës së përgjithshme në Saraj është 15 tetori, prandaj në ditën e zgjedhjeve votojmë për një Saraj më të mirë”,- tha kandidati i Lëvizja BESA për Komunën e Sarajit, Bashkim Bakiu.

Comments