Zgjedhjet lokale 2017, PDSh – oferta për Komunën e Tearcës
Mbështetja që e kërkojmë nuk do të kishte kuptim nëse ne si popull votën tonë dhe vullnetin tonë politik…
Mbështetja që e kërkojmë nuk do të kishte kuptim nëse ne si popull votën tonë dhe vullnetin tonë politik nuk e shfrytëzojmë për të dënuar ata që pushtetin lokal e keqpërdorën për 13 vite, ndërsa pushtetin qendror për 15 vite, tha kryetari i PDSH-së, Mneduh Thaçi, përpara banorëve të fshatit Sllatinë.
Ai shtoi se PDSh-ja është shumë e interesuar që prej BE-së, ShBA-ve dhe Turqisë të marrë ndihma financiare dhe donacione për projekte të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.
Ai tha se ata nuk japin ndihma për kryetarë komunash të korruptuar, siç janë kryetarët e komunave të BDI-së, të cilët zënë vendin e parë në Maqedoni për pasurinë që posedojnë duke vjedhur komunat që kanë qeverisur.
“Pushteti lokal duhet t’i jepet opozitës, për shkak se pushteti qendror nuk mund ta qetësojë opozitën. Nuk e ka atë parti me vete që t’i bëjë presion dhe të qetësohet. T’u apeloni të gjithëve se nëse Qeveria brenda një muaji nuk i ndan mjetet buxhetore që i takojnë komunës Tearcë, do të ballafaqohet me padëgjueshmëri qytetare që do ta drejtojë kryetari i komunës dhe do ta mbështesim të gjithë ne. Kjo është mënyra më e mirë për t’i bindur të gjithë se fitorja e Ruhanit është fitorja e të gjithëve për përmirësimin e cilësisë së jetës”,- tha kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
“Me pushtet lokal dhe qendror nuk arritën të realizojnë asnjë projekt për nevojat e qytetarëve, 13 vite keqqeverisje, keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parave të qytetarëve nga ana e kryetarëve të komunës nga radhët e BDI-së e solli popullatën e kësaj ane në mjerim, në skamje dhe në largim me të madhe të të rinjve nga vatrat e tyre”,- tha kandidati për kryetar të komunës së Tearcës nga radhët e kësaj partie.
“Të gjitha fshatrat e komunës tonë ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm, diku mungon cilësia, diku sasia, në të shumtën e fshatrave të dyja, gjë e cila e detyron popullatën të blejë ujë çdo ditë përkundër asaj që jetojnë në rrëzë të malit Sharr. Rrugët e fshatrave janë të shkatërruara edhe aty ku merren iniciativa të mëhallëve të ndërtojnë rrugë, detyrohen të paguajnë edhe atë me çmim më të lartë se çmimi normal”,- theksoi kandidati për kryetar në komunën e Tearcës – PDSh, Ruhan Iljazi.
Ai premtoi se Tearca nuk do të përballet me këto probleme nëse populli ia jep besimin më 15 tetor.
“Do të angazhohemi që problemet me të cilat përballen qytetarët e komunës tonë të gjejnë zgjidhje në këshillin komunal dhe bashkërisht me kryetarit e ardhshëm të komunës së Tearcës këto probleme t’i realizojmë edhe në terren. Në kontaktet që i kemi për çdo ditë më qytetarët e kësaj komune, konstatojmë bashkërisht se oponenti ynë, BDI, që qeveris me komunën tonë, jo vetëm që për këto mandate nuk arriti të zgjidhë asnjë problem, por më e keqja është se ata e shkatërruan në tërësi komunën”,- u shpreh Ilmiasan Hasipi nga Lista e Këshilltarëve për Tearcën – PDSh.
Lista e kandidatëve për këshilltarë në komunën e Tearcës nga PDSh përbehet nga njerëz që kanë përgatitje profesionale dhe janë të përgjegjshëm për sfidat që i presin.
“Fitorja e PDSh-së do të thotë kushte më të mira jetese”,- tha Hasipi, duke ftuar banorët e kësaj komune ta mbështesin ditën e zgjedhjeve.