Zgjedhjet lokale 2017, VMRO mban tubimet e fundit për rrethin e dytë
VMRO-DPMNE ka vazhduar fushatën e saj për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në Makedonski Brod.
Lideri i partisë, Nikolla Gruevski, duke prezantuar kandidatin për këtë komunë, Millosim Vojneskin, vlerësoi se ai është përzgjedhja më e mirë për këtë qytet, sepse deri tani ka lënë gjurmë për dhjetëra projekte të rëndësishme të realizuara për këtë komunë.
Gruevski nuk ka dyshime se Vojneski mund të arrijë dyfish më shumë edhe gjatë mandatit të dytë, prandaj premton se do të përfundojë projektet e filluara infrastrukturore dhe se do të përmirësojë jetën e banorëve të këtij qyteti. Gruevski gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të mos i nënshtrohen kërcënimeve dhe provokimeve dhe të bëjnë durim deri të dielën, kur do të vulosin të ardhmen e tyre duke votuar kandidatët e kësaj partie që premtojnë projekte të vërteta.
“Ka momente në jetë kur vlen të luftosh dhe tani është ajo kohë, sepse nëse në këto zgjedhje nuk e tregoni mendimin tuaj të lire, mandej do të jetë vonë. Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje të thjeshta ku vendoset vetëm se kush do të jetë kryetar dhe sa rrugica gjithsej do të asfaltohen, por vendoset edhe për siguri dhe stabilitet më të madh në të ardhmen. Ju e dini se VMRO-DPMNE është e njohur me realizimin e projekteve konkrete”,- deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gurevski.
Kandidati për kryetar në këtë komunë, Millosim Vojneski, tha se do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, për krijimin e vendeve të reja të punës, për zhvillim më të madh ekonomik dhe u zotua se do të jetë në shërbim të plotë të qytetarëve të këtij qyteti.
“Me udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së do të vazhdojmë edhe më tej të punojmë për qytetin e Makedonski Brodit, do të vazhdojmë me realizimin e projekteve për ndërtimin e rrugëve rajonale dhe lokale. Gjithmonë e potencoj se prej gjithsej 53 fshatrave sa numëron ky qytet, arritëm që të asfaltojmë dhe të sjellim rrjetin e ujësjellësit në gjithsej 48 fshatra dhe kjo është për t’u përshëndetur”,- tha kandidati për kryetar komune në Makedonski Brod – VMRO-DPMNE, Millosim Vojneski.
Gurevski ndërkohë akuzoi LSDM-në për vjedhje në raundin e parë zgjedhor dhe se të njëjtën gjë do të tentojë ta bëjë edhe të dielën. Gjithashtu Gruevski tha se e gjithë udhëheqësia e VMRO-së përgjohet dhe ndiqet ngado ku lëviz, ndërsa akuzoi MPB-në se nuk po bën asgjë për të parandaluar një gjë të tillë.
Gruevski vlerëson se me qeverisjen e LSDM-së , Maqedonia është shtet i robëruar, ku nuk ka aspak drejtësi, zhvillim dhe rritje ekonomike. VMRO-DPMNE ka mbajtur takime edhe në Mogillë dhe Novac ndërsa fushatën e përmbyll në Draçevë.