Zgjedhjet lokale: 44 komuna me kryetarë të rinj, 33 shkojnë në raund të dytë

73
fresco

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot shpalli rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale për gjithsej 44 komuna. Në 33 komuna, raund i dytë votimi do të zhvillohet më 2 nëntor, transmeton Portalb.mk.

“Njëmbëdhjetë komuna i bashkohen 33 komunave për të cilat shpallëm rezultatet përfundimtare për zgjedhjen e kryetarëve të komunave të enjten, ku zgjedhjet përfunduan në raundin e parë. Me shpalljen e sotme të 11 komunave për zgjedhjen e kryetarit të komunës në raundin e parë dhe 33 të mëparshmeve nga e enjtja e kaluar ku nuk pati kundërshtime, kanë përfunduar gjithsej 44 komuna ku zgjedhja e kryetarit të komunës u krye në raundin e parë zgjedhor. Kanë mbetur edhe 33 komuna që do të shkojnë në raundin e dytë”, tha kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të këshillave komunale dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit, Kondarko njoftoi se vetëm në Komunën Shuto Orizarë do të përsëritet votimi më 2 nëntor për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit.

Pas votimit më 19 tetor, dhe pas skadimit të afateve ligjore për paraqitjen e padisë në Gjykatën Administrative pas ankesave në procedurën e votimit dhe në procedurën për përcaktimin dhe përmbledhjen e rezultateve të votimit, KSHZ-ja shpall rezultatet përfundimtare për komunat në të cilat nuk janë paraqitur padi në Gjykatën Administrative pas ankesave në lidhje me zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Komunal dhe anëtarëve të Këshillit të Qytetit të Shkupit.

“Ka mbetur vetëm një komunë me tre vendvotime në të cilat rezultatet u anuluan nga Gjykata Administrative – në Komunën Shuto Orizarë. Pas simulimit, u përcaktua se numri i votuesve të regjistruar në këto tre vendvotime mund të ketë një ndikim teorik në shpërndarjen e mandateve në Këshill. Bazuar në sa më sipër, dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës Administrative për anulimin e votimit, KSHZ-ja vendosi që votimi në këto tre vendvotime në Komunën Shuto Orizarë për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit do të përsëritet më 2 nëntor”, tha Kondarko.

Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.

Comments