Zgjedhjet në Dibër, Basha: Fitoi karteli i drogës, krimi dhe korrupsioni

191
 

Zgjedhjet në Dibër, Basha: Fitoi karteli i drogës, krimi dhe korrupsioni

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediat pas përfundimit të procesit të numërimit të votave të 118 kutive të votimit në Dibër, ku fitues u shpall kandidati i ASHE Muharem Rama.

Lulzim Basha u shpreh se qytetarët e ndershëm të Dibrës u përballën me kartelin e drogës, krimit dhe korrupsionit. Ai tha se u asgjësua krejtësisht procesi politik.

“Në Dibër nuk humbi një parti politike, por humbi e gjithë Shqipëria. Në Dibër humbën dhe të varfërit që u joshën nga paratë e krimit nga paratë e drogës. Të vetmit që fituan ishin karteli i drogës dhe klientët e krimit të Edi Ramës”, tha Basha.

Kreu i PD tha se partia që ai drejton bëri më të mirën në këto zgjedhje, duke vendosur në krye kandidatin e duhur.

“Zgjodhën të votojnë të keqen, e kuptoj gjendjen e tyre, dhe zgjedhjen që bënë. U premtoj se do të luftoj edhe për lirinë e tyre nga varfëria, pamundësia, nga frika. Do të luftoj që jeta e tyre të mos varet nga politika. Ne bëmë më të mirën që mundëm gjatë kësaj fushate. Donim sinqerisht që të bënim një ndryshim për mirë në Dibër. Zgjodhëm një kandidat të shkëlqyer, Sherefedin Shehun, të panjollosur. Dua ta falenderoj për kontributin, përpjekjen dhe kurajon e tij”, tha Basha.

Ne i shpallim sot luftë kartelit të drogës e krimit, tha Basha. “Demokratët janë në krye të kësaj lufte dhe unë në krye të tyre”, përfundon kryetari i Partisë Demokratike.

/ Top Channel

Comments