Zgjedhjet në Maqedoni, shqiptarët do të ndahen humbës

148

Zgjedhjet në Maqedoni, shqiptarët do të ndahen humbës

Të dielën e kësaj jave pritet që në Maqedoni të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Në këto zgjedhje kandidatë për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë janë gjithsej 11 subjekte politike-pesë koalicione dhe gjashtë parti. Ndërsa të drejtë vote do të kenë gjithsej 1.784.524 qytetarë teksa në diasporë do të mund të votojnë 20.591 shtetas të Maqedonisë. VMRO-DPMNE, PDSH , BDI, LDSM, Koalicioni për ndryshim dhe drejtësi-Block Tretë, Partia për Prosperitet Demokratik, Koalicioni ‘Aleanca për shqiptarët’, Partia Liberale e Maqedonisë, Koalicioni VMRO për Maqedoni,Lëvizja Besa dhe të tjera.

Analisti Behxhet Shala në një prononcim për Indeksonline ka komentuar zgjedhjet që në Maqedoni. Sipas tij, zgjedhje të rregullta vështirë se mund të ketë në Maqedoni.

“Zgjedhje të rregullta vështirë se mund të ketë shkaku se situata ka qenë e jashtëzakonshme dhe në këto rrethana janë imponuar këto zgjedhje është me rëndësi që të mos ketë dhunë në këto zgjedhje kurse parregullsitë e tjera janë të zakonshme për shtetet e Ballkanit. Situatat e jashtëzakonshme asnjëherë nuk kanë përfunduar me zgjedhje të rregullta . Mendoj se edhe veprimet e dhunshme do të menaxhohen nëse ato ndodhin”, ka thënë Shala.

Sipas tij shqiptarët, pavarësisht se kush do të fitojë do të ndahen humbës sepse nuk do të jenë në shërbim të shqiptarëve por në shërbim të Gruevskit apo Zaevit, i cili sipas tij nuk është aspak më I mirë se Gruevski.

“Shqiptarët do të dilnin fitues sikur në zgjedhje të shkonin si koalicion me një listë të përbashkët sepse pozicionin do ta kishin shumë më të fuqishëm dhe kërkesat do ti realizonin më lehtë. Kështu , çdo parti shqiptare që do të dali fitues do të jetë shërbëtore e politikës maqedonase nëse mbetet e vetmuar dhe pa përkrahjen e partive tjera shqiptare. BDI ka gjasa të fitojë ndonëse nuk mund të mburret me të arriturat gjatë mandatit qeverisës si ” bashkëshorte ” e VMRO – DPMNE”, ka vazhduar Shala.

Po ashtu ndër të tjerash analisti Shala ka theksuar se për aq sa e njeh skenën politike në Maqedoni mendon se janë të denjë kandidatët shqiptarë.

“ Për aq sa e njoh skenën politike në Maqedoni mendoj se ata që janë të denjë , nuk janë të inkuadruar në politikë apo politika klienteliste ndaj maqedonëve që e kanë zbatuar shqiptarët e varur nga pushteti , i ka përjashtuar ata që kanë dinjitet , integritet moral , njerëzor dhe kombëtar prandaj kanë mbetur në margjina”, ka rikujtuar Shala.

Ndër të tjerash Shala ka thënë se në këto rrethana nuk do të ketë shqiptar që do të jetë fitues nëse kemi parasysh interesin kombëtar.

“Fitues do të jenë Gruevski dhe Zaevi që, për shkak të detyrimeve ndërkombëtare do ta marrin ndonjë shqiptar . A do të jetë Ahmeti apo Thaçi nuk ka shumë rëndësi sepse këta e kanë të vështirë të sjellin ndryshime në dobi të shqiptarëve . Figurë të re që do të sjellë ndryshime unë nuk shoh në mesin e shqiptarëve . është shumë rrezik që ka subjekte politike ” shqiptare ” që i japin më shumë rëndësi fesë se interesave kombëtare . Uroj që këta të dështojnë”, ka përfunduar Shala.

Ndërsa analisti Bajrush Morina në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se ka shumë rrezik që zgjedhjet në Maqedoni mund të eskalojnë para, gjatë ose pas zgjedhjeve.

“Tensionet mund të shpërthejnë”, ka thënë Morina.

Kurse sipas tij fitues do të dalin maqedonasit, teksa thekson se humbës  janë shqiptarët në këtë rast.

“Maqedonasit do të ruajnë pushtetin ndërkaq shqiptarët do të humbin numrin e deputetëve për shkak faktorit politik në Maqedoni, i cili është defajtizuar dhe përçarë pikë e pesë”, ka përfunduar Morina./Indeksonline/

Comments