Zgjedhjet ne SHBA – Clinton mbyll fushatën, 4 pika para rivalit republikan



Kandidatja demokrate për presidencën, Hillary Clinton ka përmbyllur fushatën e saj duke inkurajuar votuesit të zgjedhin një Amerikë plot shpresa dhe të refuzojnë vizionin e errët dhe përçarës të rivalit të saj. Në një tubim të konsideruar si më të madhin e fushatës së saj, ajo është mbështetur edhe nga Presidenti Obama dhe bashkëshortja e tij si dhe këngëtarë të famshëm. Sondazhet tregojnë se Clinton vijon të jetë në avantazh kundrejt Donald Trump, me 4 pikë.
Demokratja Hillary Clinton ka zhvilluar tubimet e saj të fundit në kuadër të zgjedhjeve presidenciale, duke u shfaqur në shtete kyç për betejen finale si Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Miçigani. Mijëra mbështetës të demokrates u mblodhën në Filadelfia, Pensilvani, ku zonja Clinton i bëri thirrje votuesve t’i rikthehen një Amerike plot shpresa, gjithëpërfshirëse dhe zemërmadhe. Ajo i tha audiencës se nuk duhet të pranojë një vizion përçarës dhe të errët të Amerikës.
Ky ishte tubimi më i madh në gjithë fushatën e saj që tërhoqi plot 33.000 persona. Në krah të Clinton u shfaqën edhe Presidenti ende në detyrë, Barack Obama, bashkëshortja e tij Michelle si dhe këngëtarët e famshëm të rock-ut, Bruce Springsteen dhe Jon Bon Jovi. Në fjalën e tij të rastit, Presidenti Obama nxiti të pranishmit të refuzonin frikën dhe të zgjidhnin shpresën.
Fushata e Clinton mori një hov pozitiv nga lajmi i papritur i të dielës, se FBI nuk kishte gjetur asgjë ilegale në email-et e hetuara të demokrates, kur ajo shërbente si sekretare e shtetit. Sondazhet më të fundit tregojnë se kandidatja Clinton ruan një avantazh prej 4 pikësh kundrejt rivalit të saj. Një numër rekord amerikanësh – më shumë se 46 milionë – kanë marrë pjesë në votimet e hershme. Pjesëmarrja ka qenë e lartë sidomos mes votuesve hispanikë, të cilët besohet se favorizojnë zonjën Clinton.