Zgjedhjet parlamentare 2016, Thaçi: Do të ndërpresim diskriminimin ekonomik

115
fresco
midle

Partia Demokratike Shqiptare shpalosi programin e saj zgjedhor para banorëve të Vrutokut. Kreu i kësaj partie, njëkohësisht kryesues liste në njësinë zgjedhore numër gjashtë, u zotua para banorëve të kësaj zone se do të angazhohet për të ndërprerë diskriminimin ekonomik.

Sipas Mendu Thaçit, në Gostivar, pavarësisht se është qytet me shumicë shqiptare, të gjitha bizneset e mëdha u takojnë maqedonasve.

“Na kanë shkatërruar idaren. Na kanë shkatërruar ekonominë. Nuk është ky fjalor që flet kundër BDI-së, ose kundër Ali Ahmetit, me teori. Kemi fakte dhe argumente. Si është e mundur që Gostivari, një qytet shumë i madh, me shumë shqiptarë, ta sjellim që gjithë biznesin ta ketë në dorë “Monte Negro”, një maqedonas. Biznesin e pemëshitësve, biznesin e supermarketeve, biznesin e ndërtimeve, bizneset e ndërtimit të rrugëve i kanë në dorë maqedonasit. Është një diskriminim shumë i madh, shumë i rëndë dhe për këtë fajin e kanë ata që janë në qeverisje të vendit. Kjo situatë, detyrimisht, duhet të ndryshojë. Ne u themi vëllezërve dhe motrave që s’janë këtu e që janë shqiptarë me një fjalor shumë të kujdesshëm, por herë pas here ky fjalor duket dramatik. Fjalori është dramatik, sepse situata është dramatike. Nëse ne më 11-shin nuk e ndërrojmë këtë situatë, ne do t’u japi, legjitimitet që ata të vazhdojnë me zullumin e tyre”,- tha kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.

Thaçi ftoi votuesit që ta mbështesin partinë tij dhe të dënojnë partitë në pushtet, pasi në të kundërtën do t’i japin mesazhin faktorit ndërkombëtar se janë pajtuar me diskriminimin dhe, siç tha, do t’u mundësojnë maqedonasve që të vazhdojnë shtypjen politike dhe diskriminimin ekonomik në territoret shqiptare.

“S’është vetëm programi i PDSh-së më i mirë, s’është vetëm platforma më e mirë, por edhe ekipi që drejtoj unë në krahasim me ekipin e Ali Ahmetit janë me mijëra herë më të përgatitur dhe më të mirë”,- tha Thaçi duke prezantuar kandidatët e tij për deputetë.

“Po t’i vendosim kandidaturat i bie që kundërkandidat i Rushitit të jetë Talat Xhaferi, që s’diskutohet absolutisht. Po t’i analizojmë kandidaturat e tjera i bie që kundërkandidat i Imer Aliut të jetë Branko Manajlloski. Dhe këtu s’ka kurrfarë dileme, megjithatë të gjithëve ju lus, bashkërisht, të kemi një angazhim perfekt. Nuk ka konflikte, nuk ka mosmarrëveshje, ka vetëm retorikë sqaruese. PDSh-ja që e ka ofertën për të dalë prej kësaj balte, prej këtij lloçi, prej kësaj mungese të perspektivës që e sollën të tjerët. Ne ata nuk do t’i dëmtojmë, krejt shqiptarët kërkojnë që ata të kalojnë në opozitë, të rregullojnë partinë e vetë dhe kur të vijë koha, sërish të vijnë në pushtet. Kjo është demokracia. Shqiptarëve nuk u konvenojnë tensione në këtë fushatë”,- theksoi kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.

Ndërkaq, kandidati për deputet i PDSh-së nga kjo zonë, Rushit Veapi, kërkoi votën e shqiptarëve për të përmirësuar jetën e gjithsecilit. “Na duhet vota e juaj për të ngritur zërin e arsyes në kuvend dhe në qeveri”, – tha Veapi.

“Gjatë këtyre 15 viteve, këta pushtetaër Gostivarin e shndërruan në qytet ku frika ka zënë vendin e lirisë; padrejtësia, vendin e drejtësisë dhe injoranca, vendin e dijes. Gostivari, si shumë vendbanime të tjera shqiptare, që nga viti 2002 është bërë një vend pa perspektivë, pa infrastrukturë dhe njerëz të rinj të cilët largohen për çdo ditë në kërkim të ardhmërisë më të mirë. Shifrat flasin për afro 4000 të larguar, vetëm nga Gostivari. Të dashur vëllezër, edhe pse regjioni jonë ka vetëm dy kapacitete energjetike, falë politikës integruese të BDI-së dhe Ali Ametit, është arritur që të integrohen mbi 90% të të punësuarve nga Velesi, Kriva Pallanka dhe Shtipi”,- theksoi kandidati për deputet nga PDSh, Rushit Veapi.

Përveç angazhimit për ndërprerjen e diskriminimit ekonomik, PDSh zotohet se do të miratojë dy ligje për amnisti. Amnisti për të burgosurit në raste të pretenduara si raste të montuara dhe amnisti apo falja e të gjitha borxheve që kanë shqiptarët ndaj shtetit.

Comments