Zhbogar takon Ahmetin dhe Thaçin

279
Një mirëseardhje e ”këndshme” për Zhbogarin në Maqedoni
Ambasadori i ri i BE-së, Samuel Zhbogar, ka vizituar sot selitë e dy partive politike shqiptare në Tetovë, ku ka takuar liderët e BDI-së dhe dhe PDSh-së, Ali Ahmeti dhe Mendu Thaçi.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se bashkëpunimi i ngushtë i BDI-së me BE-në do të vijojë me intensitetin e njëjtë në mënyrë që të lehtësohet integrimi i vendit në Bashkimin Europian.
Lideri i BDI-së, Ahmeti, ka theksuar pritjet që liderët të respektojnë marrëveshjen e arritur dhe që do të angazhohen për përfundim të krizës dhe rikthim të agjendës integruese, ndëretnike dhe zhvillimore.
Komuniteti shqiptar pret integrim të vendit në NATO dhe BE, marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.
Euroambasadori Zhbogar shprehu bindjen që bashkëpunimi i afërt i  Ahmetit me përfaqësuesit e BE-së do të vijojë dhe shprehu interesim për zbatimin e marrëveshjes drejt zgjedhjeve të 11 dhjetorit, si dhe rreth pritjeve të shqiptarëve të Maqedonisë.
Dy bashkëbiseduesit u dakorduan që ta vazhdojnë bashkëpunimin e afërt në rrugën e integrimit të vendit në BE.
Edhe në takimin me liderin e PDSh-së, Mendu Thaçin, u bisedua për tema lidhur me situatën aktuale politike në vend, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si dhe për kushtet që vendi duhet t’i plotësojë në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
Thaçi ka potencuar se një ndër prioritetet e PDSh-së është organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, si dhe eliminimin e parregullsive të deritanishme, siç janë vjedhja e votave dhe falsifikimi i rezultateve, andaj në këtë drejtim kërkoi përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, që të garantohen zgjedhje të lira dhe të besueshme.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se zgjedhjet të parakohshme parlamentare duhet të jenë korrekte, të besueshme dhe demokratike për ta rikthyer vendin në agjendën e integrimeve euroatlantike.
Ambasadori Zhbogar, në emër të BE-së, falënderoi dhe vlerësoi lartë kontributin e Thaçit dhe të PDSh-së lidhur me marrëveshjen dhe zhvillimin e proceseve demokratike, si dhe theksoi se BE me vëmendje të veçantë do të vazhdojë të ndjek situatën politike në vend, si dhe rrjedhën e përgatitjeve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Ndërsa Thaçi e siguroi ambasadorin Zhbogar se PDSh do të vazhdojë të kontribuojë dhe të jetë pjesë e proceseve demokratike dhe perspektivës euroatlantike të vendit.
Comments