Zhduket nëna me djalin 4 vjeçar nga kampi i azilantëve në Gjermani



Është raportuar zhdukja e një nëne të re bashkë me djalin e saj 4 vjeçar që ndodhedhin në kampin e azilkërkuesve në Gjermani.Mësohet se gruaja 24-vjeçare, me iniciale R.M., pasi ka dhunuar fizikisht e psikologjikisht djalin e saj të mitur, është larguar bashkë me të nga kampi dhe nga ai moment askush nuk e ka mësuar vendndodhjen e tyre.
Bashkëshorti i saj vijon të qëndrojë në kamp, në pritje të miratimit ose jo të kërkesës për azil nga autoritetet gjermane, por në pamundësi për të bërë vetë diçka, ai ka vënë në dijeni familjen e tij në Kamzë, duke u kërkuar që të njoftojnë Policinë.Denoncimi i ngjarjes në Komisariatin nr.5 është bërë nga shtetasja 47- vjeçare, me inicialet Sh.M., e cila është vjehrra e gruas së “zhdukur”.
Nga verifikimi në pikat e kalimit kufitar, 24-vjeçarja rezulton të jetë ende jashtë vendit dhe ka dyshime se ajo ndodhet ende në territorin e Gjermanisë.Policia tha se është bërë shpallja e saj në kërkim me akuzën e dhunës në familje. Nga ana tjetër, veç akuzës për dhunë fizike e psikologjike ndaj fëmijës së mitur, ajo akuzohet edhe për marrjen e padrejtë të fëmijës, pasi bashkëshorti i saj nuk ka qenë në dijeni të largimit nga kampi. Ndërsa, nga ana tjetër, për rastin janë vënë në dijeni edhe autoritetet gjermane, në mënyrë që të bëhet ndalimi i saj dhe kthimi në Shqipëri.