Zhdukja e Diellza Shtavicës pas autopsisë së bashkëshortit ngre pikëpyetje të mëdha

342

Në prill të vitit 2025, raporti i autopsisë rrëzoi të vërtetën që ishte varrosur bashkë me Hisen Haxhimustafën: ai nuk kishte vdekur nga infarkti, por ishte gjetur i varur në vitin 2021.

Pak kohë më vonë, Diellza Shtavica mori fëmijët e saj dhe u zhvendos për të jetuar me të atin.

Historia e saj nga ajo kohë u përfshi nga probleme dhe mistere të njëpasnjëshme.
Gati pesë vjet pasi burri i saj u varros, askush nuk e di ku ndodhet ajo dhe as fëmijët e saj.

E mbetur e ve dhe ndoshta e vetmja që dinte për misterin e vdekjes së babait të fëmijëve të saj, Diellza qëndroi në shtëpinë e të atit deri në mars të vitit 2024.

Por pikërisht në këtë muaj, ajo shkoi në Policinë e Rahovecit për të raportuar një rast dhune, dhe atë ndaj të atit të saj, Vllaznim Bashës. Nga aty, Policia e Rahovecit e mori atë bashkë me fëmijët dhe e vendosi në një shtëpi të sigurt.

Qendra për Punë Sociale në Rahovec ka konfirmuar rastin, duke treguar se ajo qëndroi aty për një muaj, ku me vetdëshirë u largua.

Kiks Kosova ka kuptuar se Shtavica, bashkë me fëmijët e saj, më 29 mars 2024 ishte larguar nga atje në drejtim të aeroportit të Prishtinës, ku ishte nisur për në një shtet të BE-së, prej nga ishte lajmëruar se kishte arritur në destinacion.

Nga ai moment, i ati thotë se nuk e di ku ndodhet e bija, dhe as institucionet e tjera nuk kanë dhënë informacione.

Sipas burimeve, dhe faktit se ajo është intervistuar nga Policia e Kosovës pas daljes së autopsisë së bashkëshortit, ajo është kthyer në Kosovë, por vendndodhja e saj mbetet mister.

Comments