Zhdukja e Ukshin Hotit dhe masakra e Dubravës – një e vërtetë tjetër

225
fresco

Image result for ukshin hoti

Nga Valdet Devaja

midle

Nuk ka krim të përsosur, krimi nuk vjetrohet dhe nuk mbetet krim pa u ndëshkuar. Janë këto tri nga shprehjet e shumta proverbiale që lidhen me drejtësinë e që kontekstualizohen sa herë që risillet në vëmendjen publike ndonjë rast që me vite ka pritur verdiktin gjyqësor dhe ndëshkimin e fajtorëve. Një fitore të tillë të vonuar të drejtësisë mbi krimin politik pamë këto ditë në rastin e veprimtarit të çështjes kombëtare Enver Hadrit, kur pas 26 vjetësh Gjykata Penale e Brukselit shpalli fajtorë tre serbë, Bozhidar Spasiqin, ish-shef i UDB-së për Operacione Speciale dhe vrasësit Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, duke i dënuar me burgim  të përjetshëm.

Mirëpo, përderisa vrasja e Enver Hadrit u zbardh edhe pse pas gati tri dekadash, kryesisht falë angazhimit të familjes, janë dhjetëra raste vrasjesh ende të pazgjidhura të veprimtarëve dhe civilëve shqiptarë, të cilat presin ende më kot një trajtim serioz e të dinjitetshëm të drejtësisë e shpesh edhe disponim e angazhim politik që të futen në rend dite në agjendat e gjyqësorit.

Universiteti i Prizrenit përuroi dje shtatoren e ideologut e veprimtarit Ukshin Hoti, emrin e të cilit edhe e mban dhe organizoi edhe një akademi përkujtimore, në të cilën morën pjesë edhe udhëheqës institucionalë, por përkundër kësaj fati i tij mbetet ende i mbështjellë me enigma të shumta, secili më konspirativ se tjetri.

Nuk mungojnë as lajmet bombastike të servuara nga mediet serbe si ato që kinse Ukshin Hoti u vra nga shqiptarët posa doli nga dyert e burgut famëkeq te Dubravës! Një deklaratë të tillë e pati dhënë së pari ish-drejtori i Burgut të Sremska Mitrovicës, Trivun Ivković, në emisionin “Goli Zivot” me autor dhe moderator Milomir Maric, në televizion serb “TV Happy”, të datës 13.02.2014. Këso lloj deklaratash u përdorën edhe nga Bozidar Spasic, tashmë i dënuar si organizator i vrasjes së veprimtarit Enver Hadri, i cili në këtë mënyrë mundohej të shfajësonte veten dhe institucionin ku punonte.

Por, kush është Trivun Ivkovic?

Trivun Ivkovic pati  rol të madh në përhapjen e hegjemonizmit dhe shovinizmit serb në republikat dhe krahinat e ish-Jugosllavisë. Ishte një ndër themeluesit e organizatës serbe “Solidarnost”, përmes së cilës Slobodan Millosheviqi artikulonte idetë e tij gjenocidiale. Posaçërisht ka qenë aktiv në rrëzimin e pushtetit Krahinor në Vojvodinë. Me formimin e Partisë Socialiste Serbe (SPS) ishte një ndër eksponentët kryesorë të saj. Mori pjesë në organizimin e popullatës serbe në Republikën e Kroacisë kur u tentua shkëputja me dhunë e një pjese të  territorit të kësaj Republike. Në vitin 1993 u caktua drejtor i Burgut në Srmeska Mitrovicë, detyrë  të cilën e  ushtroi deri në tetor të vitit 2000. Mbahet mend në atë kohë si person i cili udhëhoqi me dorë të hekurt këtë institucion. Të burgosurit shqiptarë e kujtojnë si vetë djallin.

Mes tjerash në emisionin e lartpërmendur Ivkovic foli për ato që i konsideronte suksese të tij: për  komplimentet qe i merrte nga delegacionet e huaja dhe vendore që vizitonin atë burg, që nga një burg krijoi hotel të rrethuar me mur.

Por, për këtë më së miri duhet pyetur ish të burgosurit shqiptarë, posaçërisht ata të dënuar për “Krime politike”. Ata më mirë se kushdo tjetër do të mund të flisnin për kushtet e atij “hoteli” dhe torturat që ndodhën aty. Ai nuk e përmendi “Pajser Brigadën”, të përbërë nga gardianët e burgut që ishte formuar me të vetmin qëllim, torturimin e të burgosurve, posaçërisht atyre shqiptarë.

Aty foli edhe për mikun e tij Zheljko Razhnjatovic-Arkanin, të cilin e priti dhe e shoqëroi për një vizitë nëpër pavijonet e burgut e të cilin mes tjerash e dërgoi ta  vizitojë qelinë ku ishte vendosur ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Si drejtor i burgut me ligj kishte të drejtë që tre muajt e fundit të vuajtjes së dënimit t’i shpërblente të burgosurit, të cilët kishin sjellje të mirë dhe t’i lironte më herët. Por, siç e pranoi, ajo e drejtë u takonte të burgosurve serbë të cilit kishin qenë në luftë në Kroaci dhe Bosnjë, një detaj tjetër i “profesionalizmit” të tij. Në një pjesë të asaj interviste ai përmendi edhe veprimtarin politik Ukshin Hoti, për të cilin tha se u vra posa doli nga dyert e burgut nga shqiptarët!

Por, para se të jepte këtë deklarate “bombastike” Trivun Ivković, a ishte konsultuar me ministrin e Drejtësisë së Republikës së Serbisë, Dargoljub Janković? Pse ministri kërkoi nga ai që të burgosurit shqiptarë që vuanin dënimin në Burgun e Mitrovicës së Sremit të dërgohen në Burgun e Dubravës në kohën kur kishin filluar bombardimet e NATO-s, vendim të cilin Trivun Ivković e zbatoi pa hezitim e që për shumë të burgosur shqiptarë do të ishte dënim me vdekje; vendim që mes të tjerëve ishte edhe për Ukshin Hotin. A kishte informuar avokatin mbrojtës të Ukshin Hotit se ai do të transferohet nga Burgu i Sremska Mitrovicës në Burgun e Dubravës dhe atë vetëm disa ditë para se t’i skadojë dënimi. A kishte biseduar me drejtorin e Burgut të Dubravës Alaksandar Rakocević dhe ta pyeste se pse jashtë çdo praktike deri atëherë në institucionet korrektuese serbe Ukshin Hoti duhej liruar ditën e diel. Mos kishte biseduar atëherë me komandantin e JSO-së (Jedinica za Specialne Operacije) Milorad Ulemek Legija, i cili me forcat e tij ishte stacionuar brenda dhe jashtë Burgut të Dubravës? A ka pasur mundësi që ndonjë shqiptar të afrohej në atë zonë? Këto dhe shumë pyetje tjera rëndojnë mbi ish-drejtorin e atij burgu famëkeq, përgjigjet e të cilave sigurisht se do ta vënin atë në bankën a të akuzuarve.

Transferimi i të burgosurve shqiptarë në burgun e vdekjes

Masakra në Burgun e Dubravës dallon për dy gjëra nga masakrat tjera që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. E para, shumë nga viktimat ishin të dënuar sipas ligjit nga shteti serb dhe si dënim u ishte kufizuar lëvizja e lirë. U dënuan për vepra të ndryshme penale, por shumica e tyre për “Krime politike”. Shteti sipas ligjit kufizon lëvizjen e lirë, por sipas ligjit dhe konventave ndërkombëtare shteti ka obligim që t’u ofrojë siguri të plotë atyre. E dyta është se në këtë masakër morën pjesë si ekzekutorë edhe të burgosurit serbë, të cilët u transferuan aty pikërisht për këtë qëllim.

Pas sulmit në Prekaz Burgu i Dubravës do të boshatisej, pasi të burgosurit shqiptarë u transferuan në burgjet e Serbisë. Shumica në Burgun e Nishit dhe në Burgun e Sremska Mitrovicës. Burgu i Dubravës do të shndërrohet kështu në bazë (të JSO-së), nga ku sulmoheshin fshatrat shqiptare përreth. Kjo situatë do të zgjaste deri në fillim të bombardimeve kur ministri i Drejtësisë së Republikës së Serbisë Dargoljub Janković urdhëroi që të gjithë të burgosurit shqiptarë të transferoheshin nga burgjet serbe në Burgun e Dubravës.

Hajredin Hyseni, i mbijetuar i masakrës së Dubravës,  i dënuar për “Krime politike”, rrëfen  se gjatë qëndrimit të tij në burg nga viti 1988-1990 dhe 1993-2001 nuk i kishte ndodhur që të shohë të burgosurit tjerë me armë zjarri në duar. Këtë skenë e gjeti në Burgun e Dubravës pasi u transferua nga Burgu i Nishit së bashku me shumë të burgosur shqiptarë. Në hyrje të Burgut të  Dubravës ai menjëherë vërejti një të burgosur malazez, me nofkën “Miga”, me armë zjarri në duar.

Në Burgun e Dubravës u transferuan edhe dhjetëra të burgosur serbë. Njëri ndër ta ishte vrasës i shumëfishtë, i cili vrau gruan e tij së bashku me nënën e saj. U dënua me njëzet vjet e në burg qëndroi deri në fillimin e luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Arriti të “arratisej” nga burgu dhe t’i bashkohej ushtrisë së Republika Sërpskës ku pas një kohe akuzohet nga autoritetet e Republika Sërpskës për vrasjen e shtatëmbëdhjetë robërve të luftës të nacionalitetit boshnjak. Menjëherë largohet në drejtim të Republikës së Serbisë. Një kohë jetoi i papenguar nga autoritetet shtetërore, deri në momentin kur sërish kryen vrasje të dyfishtë dhe arrestohet. Një kohë të shkurtër qëndroi i qetë në Burgun e Nishit, por edhe në burg pas një kohe kreu vrasje. Të gjitha këto i rrëfeu Radosav Ivanović-Rakac për veten e tij në emisionin “Goli Zivot”, ku një pjesë të kohës foli për transferimin e tij në Burgun e Dubravës.

Në Burgun e Dubravës u transferua edhe me një të burgosur tjetër serb, Sinisa Petric-Zenica, i cili kishte një karrierë të gjatë kriminale. Sinisa Petric-Zenica kishte kaluar nëpër luftërat në Kroaci e Bosnjë si pjesëtar i “Tigrave” të Arkanit e më tutje si pjesëtar i grupit famëkeq kriminal të  quajtur “Grupi Magdës”, i cili shkaktoi terror në Vojvodinë dhe Hungari duke kryer 14 vrasje. Pas arrestimit të atij grupi, në momentin kur gjyqtari i rastit pyet se pse gjatë një plaçkitjeje  të një familjeje ku fillimisht u vranë burri dhe gruaja nuk u kursye as jeta e fëmijës dhjetëvjeçar, i cili u ekzekutua me nëntë plumba në kokë, përgjigjja Zenicës ishte e ftoftë, “atë natë isha pak me nerva”. Kjo flet mjaft për profilin e tij dhe atë se çfarë “asete” shteti serb kishte në dispozicion. Në të njëjtin emision Radosav Ivanović-Rakac, deklaroi se pasi Burgu i Dubravës u mbush me të burgosurit shqiptarë, të cilët u transferuan nga burgjet serbe dhe nga shqiptarët të cilët u morën nga shtëpitë e tyre, numri i përafërt i shqiptarëve në atë kohë ishte rreth një mijë persona. Siç thotë ai, me urdhër nga lart nga Beogradi, kontrollin mbi të burgosurit dhe gardianët në Burgun e Dubravës e mori shoku i tij Sinisa Petric-Zenica.

Edhe në rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviqit nga shumë dëshmitarë u përmend masakra në Burgun e Dubravës, u prezantuan provat dhe dëshmitë, por Gjykata e Hagës nuk e ngriti asnjë aktakuzë në lidhje me këtë rast.

Fondi për Drejtën Humanitare me seli në Beograd, më 28 maj 2010, dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë për Krime të Luftës të Serbisë. Aktpadia u ngrit kundër ish-ministrit të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Serbisë Dragoljub Jankovic, zëvendësit të tij Zoran Stevanovic dhe gjithë zinxhirit komandues si organizatorë, ndaj ekzekutorëve të drejtpërdrejtë, të cilët morën pjesë në masakrën e Dubravës, mes të cilëve ishin emrat e gardianëve të Burgut të Dubravës, pjesëtarëve të njësisë së JSO-së, si dhe të burgosurve serbë.

Por, deri më sot nuk ka njohuri nëse Prokuroria për Krime të Luftës e Serbisë ka zhvilluar ndonjë hetim në lidhje me rastin e masakrës së Dubravës. Pavarësisht nga kjo, duke u bazuar në parimin themelor që procedura penale zhvillohet sipas vendit ku është kryer vepra penale e që në rastin konkret është territori i Republikës së Kosovës, një hetim i tillë është dashur të iniciohet nga prokurorët e UNMIK-ut dhe më pastaj nga prokurorët e EULEX-it, të cilët deri në vitin e kaluar kanë pasur kompetencë ekskluzive për procedimin e veprave penale për “Krime lufte”, në kuadër e së cilës pa dyshim është edhe rasti i masakrës së Dubravës. Pasi që ata nuk kanë bërë një gjë të tillë, mbetet që hetimin për rastin ta iniciojnë prokurorët vendorë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Hetimi i këtij rasti mund të zbulojë, jo vetëm vrasjet e të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, por ka gjasa reale që ta zbardhë edhe zhdukjen e Ukshin Hotit.

Është e qartë që ky rast mund të zbardhet vetëm në bazë të bashkëpunimit në mes organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Serbisë. Siç dihet, deri tashti Serbia e ka refuzuar bashkëpunimin ndërkombëtar penal me Kosovën duke e lidhur këtë me çështjen e sovranitetit. Duke u arsyetuar se nuk e pranon Kosovën si shtet Serbia është bërë oazë e kriminelëve që kanë kryer krime lufte në Kosovë, njësoj si shtetet e Amerikës Latine u ofruan strehim kriminelëve nacistë pas Luftës së Dytë Botërore.

Pasi që ndjekja e krimeve të luftës, respektivisht shkelja e së drejtës humanitare ndërkombëtare nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e një shteti, por ndërlidhet me të drejtën penale ndërkombëtare, ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të kërkojë nga Serbia bashkëpunimin me Kosovën drejt hetimit dhe ndëshkimit të krimit e në veçanti atyre të krimeve të luftës.

Ndërkaq, institucionet e Republikës së Kosovës do të duhej të bënin gjithçka që secili krim që është kryer në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës të trajtohej në mënyrë të dinjitetshme duke gjetur e duke dënuar fajtorët sipas ligjit.

Comments