ZHIROVNICA E ZBRAZUR, FSHATRAT NË RAJONIN E REKËS PËRJETOJNË “EKSOD”


Shtëpi të mëdha e të reja, por të zbrazura. Kjo ishte pamja që e gjetëm në një nga fshatrat më të mëdhenj në rajonin e Rekës, Zhirovnicë. Në mes të fshatit, e takuam 25-vjeçarin Selmin Alili, i cili ishte duke përgatitur kafe dhe çaj për ata pak klientë që vijnë në restorantin e tij. Edhe ai është një nga të rinjtë që po planifikon ta lë vendlindjen e tij dhe të shkojë në kurbet. Siç rrëfen Selmini, në këtë rajon nuk ka asnjë fabrikë apo kapacitet industrial, ku të rinjtë mund të punësohen. Ai thotë se nëse ky trend emigrimi vazhdon, nuk do të ketë kush të shërbejë në restorantin e tij në Zhirovnicë, prandaj ka gjasa edhe ai si shokët e tij t’i përgatisë valixhet dhe ta braktisë fshatin.
“Këtu në Zhirovnicë është shumë vështirë për të jetuar. Për këtë arsye të afërmit dhe miqtë tanë në mënyrë masovike filluan të largohen jashtë vendit. Nuk ka asgjë që mund t’i mbajë të qëndrojnë këtu, prandaj të gjithë e kanë idenë e njëjtë – të largohen diku ku është më mirë, në Itali ose Gjermani”, u shpreh Selmin Alili, banor.
60-vjeçari Qamir Ramadani jeton vetëm. Fëmijët, gruaja dhe nipat e tij janë në Itali. Kjo nuk është jetë, kur familja nuk është me mua, me lot në sy rrëfen Ramadani.
“Të gjitha familjet janë përgjysmuara, pa nipat e kam shumë të vështirë. Nëse llogaritni sa ju duhet për të jetuar, ju duhet së paku 150 euro për person. Por, në kushte të këtilla, kur vetëm një person në familje punon dhe merr 150 euro për muaj dhe duhet të kujdeset për familjen pesë ose gjashtë anëtarëshe, me të vërtetë është shumë vështirë. Prandaj, të rinjtë në mënyrë masovike po ikin nga vendi”, tha Qamir Ramadani, banor i fshatit Zhirovnicë.
Banorët e Zhirovnicës, thonë se politikanët i vizitojnë vetëm për zgjedhje. Ata pyesin se kujt do t’i shkojnë në mitingje dhe kush do të votojë. Para pak kohe, rruga në Zhirovnicë u asfaltua, por asfalti nuk është i mjaftueshëm për t’i mbajtur njerëzit në fshat.
“Rruga është e mirë, por nuk është shfrytëzuar fare, sepse s’ka lëvizje dhe njerëz. Këtu nuk kalojnë as kamionë e as autobusë. Si e tillë, është vetëm rrugë e zakonshme lokale”, tha Abdul Beqiri, Fshati Zhirovnicë.
Fshati Zhirovnicë numëron 3 000 banorë, por sipas tyre, aktualisht në të nuk ka më shumë se 800 banorë. Në fillim të vitit shkollor nga gjithsej 90 nxënës, 10 prej tyre janë çregjistruar nga shkolla për shkak se familjet e tyre janë larguar jashtë vendit. Situata është e ngjashme edhe në fshatrat e tjera të rajonit të Maqedonisë Perëndimore, siç janë Reka e Poshtme dhe Reka e Epërme, Rostushë dhe Jançë.