Editorial, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk
Shkup, 26 Shkurt, Zhurnal.mk – Kalkulimet e mundshme të shumta të BDI-së me kërkesat dhe kushtëzimet për përkrahjen e kandidatit të përbashkët për 21 prill mund të jenë të dobishme për vet partinë dhe shqiptarët e vendit, por në të njëjtën kohë ato mund edhe të jenë të dëmshme për këtë parti varësisht nga epilogu i tyre përfundimtar.
Atmosfera e mirë e krijuar para pak ditësh midis Kryeministrit Zoran Zaev dhe partive shqiptare në pushtet për një kandidat të përbashkët për zgjedhjet e 21 prillit këtyre ditëve është prishur krejt.
Partnerët e koalicionit ende nuk dolën me emrin e kandidatit për të garuar ndaj Gordana Siljanovskës të përzgjedhur nga VMRO-DPMNE, gjë që sinjalizon se kompromisi për kandidatin e përbashkët ende është larg që të arrihet.
Por, jo vetëm kompromisi për kandidatin. Aktorët kryesor të këtyre negociatave, Zaev dhe Ali Ahmeti, duket se ende nuk janë pajtuar se çfarë do të merrte BDI në shkëmbim të pajtimit për kandidatin e preferuar të Zaevit (për të cilin thuhet se është Ministri i Jashtëm Nikola Dimitrov).
Mosmarrja e imunitetit parlamentar të Trajko Veljanovskit, përmes vendimit të çuditshëm të Kryetarit të Parlamentit Talat Xhaferi, për mos hedhje në votim dhe ndërprerje të seancës – rast i paparë me kërkesat e mëparshme të prokurorisë për të njëjtën gjë – mund të shpjegohet edhe me mospajtimet që po vazhdojnë midis Zaevit dhe Ahmetit së fundi.
Përkrahja e pakusht e të preferuarit të Zaevit dhe LSDM-së për zgjedhjet e prillit duket se nuk është opsion i BDI-së dhe kreut të saj.
E kërkesat e partisë më të madhe shqiptare mund të jenë të shumta.
Ato mund të jenë për poste diplomatike, drejtori nëpër departamente ministrore e ndërmarrje e agjenci shtetërore; përbërje të kabinetit të kryetarit të ardhshëm…etj.
Këto të lartë numëruara janë për interesa partiake. Mbetet ende e paqartë po ashtu nëse Ahmeti mund të ketë ndonjë kërkesë që tejkalon interesat partiake, përkatësisht për ndonjë kërkesë që do të mund të bëjë me interesat e qytetarëve shqiptarë për më shumë të drejta në vend.
Ato ndoshta mund të jenë edhe për ligjin e ardhshëm për regjistrimin e popullatës në vitin 2020. Ekzistojnë deri më tash vetëm deklarata të zyrtarëve se si mund të duken pjesë të ligjit, por ende nuk ka tekst të pajtuar që do të propozohet për ligjin e nevojshëm.
Regjistrimi i vitit 2011 dështoi dhe nuk është në interes të shqiptarëve që ai të dështojë përsëri në vitin 2020, sidomos jo kur shqiptarët presin që regjistrimi i ri të konfirmojë llogaritjet e tyre së janë më shumë se 25.2 për qind sa ishin sipas regjistrimit të 2002.
Ende mbetet e paqartë nëse mërgata shqiptare do të llogaritet si pjesë e rregullt e popullatës së Maqedonisë së Veriut apo ajo do të trajtohet në një kategori të veçantë për të mos pasur ndonjë ndryshim të dukshëm me përqindjet e regjistrimit të vitit 2002 e që do të shkonte në dëm të maqedonasve.
Në të njëjtën kohë, rritja e numrit të shqiptarëve në rreth 34 për qind, sa është përqindja e fëmijëve shqiptarë të lindur (p.sh. shifrat në 2017), mund të ndryshojë shumë në ligjin për gjuhët në komunat ku shqiptarët janë më pak se 20 për qind.
Po jo vetëm kaq. Rritja e përqindjes së popullatës shqiptare në Maqedoni të veriut, në të njëjtën kohë do të zvogëlonte edhe përqindjen e maqedonasve dhe kjo do të krijonte moment të ri jashtëzakonisht interesant për shumëçka në vend dhe raportet e forcave midis shqiptarëve dhe maqedonasve.
Si do të që të jetë, Zaev dhe LSDM nuk mund ta kenë komforin e shkuarjes në votime të 21 prillit me kandidat të tyre pa pajtimin dhe përkrahjen e BDI-së, PDSH-së dhe Alternativës.
Zaev tash për tash nuk mund të llogarisë sidomos jo në përkrahjen e Aleancës për Shqiptarët e as të Besa.
Frikën e Zaevit për humbje të këtillë e dinë BDI dhe partitë e tjera shqiptare.
Mirëpo deri me 21 mars, kur duhet dërguar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KShZ) emri i kandidatit për të garuar me Siljanovkën ka kohë edhe 23 ditë.
Prandaj gjatë 23 ditëve të ardhshme përplasjet që shpërthyen që nga e diela me rastin e Veljanovskit mund të pritet që të përfundojnë me kompromis dhe plotësim të kërkesave të të dy palëve; edhe LSDM-së edhe të BDI-së e partive tjera shqiptare në pushtet.
E kundërta do të shkojë në dobi të VMRO-DPMNE dhe kandidates së tyre, por jo edhe doemos.
Nëse LSDM do të shkojë e vetme ne zgjedhjet e 21 prillit, atëherë kandidati i saj mund të humbas garën që në raundin e parë.
Skenar i dytë do të ishte nevoja e raundit të dytë. E kjo përsëri e bënë Zaevin në pozitën e lutësit ndaj BDI-së dhe partive tjera shqiptare.
Por, kalkulimet se do të ketë raund të dytë janë thikë me dy tehe për Zaevin dhe LSDM.
Prandaj opsioni më i mirë për Zaevin është që deri më 21 mars të vazhdojë negociatat për një pako kompromisesh me BDI, PDSH dhe Alternativën. Ky skenar është më i miri për partitë qeveritare për të mposhtur kandidaten e VMRO-DPMNE që në raundin e parë.
Ndërkohë situata do të mund të shkojë edhe krejt në drejtim tjetër. Mungesa e kompromisit për zgjedhje të prillit mund të dërgojë në prishje të qeverisë, shpërbërje të parlamentit dhe zgjedhje të hershme.
Ky skenar do të ishte më ekstremi për të gjitha partitë në qeveri dhe ai ndërkohë do të krijonte situatë jo të mirë politike për vet vendin, meqë në Qershor vendet e BE-së pritet që të marrin vendim për hapje të bisedimeve për në fund të vitit.
Një krizë e re politike në Maqedoni të Veriut, deri diku sikur ajo që shpërtheu javën e kaluar në Shqipëri, nuk do t’i bënte mirë vendit para qershorit dhe në këtë skenar BDI do të ishte adresa e shumëkujt për fajësim.
Maqedonisë së Veriut këtyre ditëve i duhet stabiliteti politik dhe institucional për të vazhduar atmosferën e mirë drejt NATO dhe BE të krijuar që nga Qershori 2018 kur u nënshkrua Marrëveshje a Prespës.
Ndërkohë pajtimi i BDI-së me LSDM pa ndonjë kompromis në interes të shqiptarëve, por vetëm për interesa partiake nuk do t’i ishte i dobishëm para publikut vendor shqiptar.
BDI në zgjedhjet e kaluara i humbi 9 vende në parlament, kur nga 19 deputetë ra në 10 sish.
Prandaj kalkulimet e saja këtyre ditëve mund ta dërgojnë këtë parti në rrugë të mirë për të po aq sa edhe në dëm të saj.
Përfundimisht, momentalisht BDI ndodhet përballë një udhëkryqi të krijuar me vet dëshirën e saj.