Zona Ekonomike e Tetovës, Arifi: Do të ndikojë në zbutjen e papunësisë

140
Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, thotë se ky investim është një shanc i mirë punësimi për banorët e Tetovës.
“Normalisht, një kompani e atij serioziteti jep një shanc për qytetarët e komunës së Tetovës për të gjetur punë, meqë është fjala për mbi 2000 vende pune që kërkohen aty, dhe në të njëjtën kohë ardhja e kësaj kompanie do të sjellë edhe kompani tjera, shërbime tjera dhe kompani më të vogla që duhet që ta mbështetësin”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Qytetarët e shohin këtë fabrikë si një mundësi më shumë punësimi për 2 mijë njerëz, aq sa ka paralajmëruar kompania. Por, ata shpresojnë që Zona e Lirë Ekonomike të funksionojë realisht e të mos jetë vetëm pjesë e marketingut parazgjedhor.
“Çdo fabrikë që hapet mirë është, por sa do të zbusë situatën nuk e di, çdo fabrikë çdo punë që hapet është e mirëseardhur për qytetarët, por mos të jetë vetëm marketing politik”,– theksoi një qytetar.
“E mirë është, për popullin mirë është, e mirëpresim”,- tha një qytetar.
“Me një lule nuk del pranvera, por ky popull do më shumë. Ajo nuk diskutohet, hapja e më shumë fabrikave është një plus për qytetin dhe rajonin”,- u shpreh një qytetar.
Profesori universitar, Raman Ismaili, thotë se Zona e Lirë Ekonomike e Tetovës dallon nga zonat e tjera, pasi është partneritet privat publik, por gjithsesi, sipas tij, efektet pozitive ekonomike pritet të jenë të ndjeshme.
“Fillimisht u thye edhe akulli, se zona ekonomik nuk do të mund të funksiononte edhe në rajonin e Tetovës. Iniciativë shumë e mirë edhe pse karakteri është privato-publik, që dallon nga karakteri i zonave ekonomike që janë në territorin e R. së Maqedonisë, por duhet theksuar se bëhet fjalë për kompani shumë serioze, siç është “Lear Corporation”. Efekte ekonomike do të shfaqen në disa segmente. Por, ajo që ne na intereson duhet të shohim se sa dhe çfarë efektesh do të sjellë në punësimin e të rinjve, d.m.th. që të ndalohen ata, mos të emigrojnë nga rajoni i Tetovës”,– u shpreh profesori universitar, Raman Ismaili.
Sipas Ismailit, “Lear Coporatoin” mund t’i japë sinjal edhe kompanive tjera, se në Maqedoni mund të investohet.
Comments