Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka konfirmuar se në mesin e “bombave” gjenden edhe biseda të incizuara të funksionarëve nga Shqipëria dhe Kosova.
Në intervistën e dhënë më 9 Mars të viti 2017 në emisionin ‘Shqip’ të Top Channel, Zaev ka thënë se megjithatë nuk do të publikojë këto biseda, raporton Almakos.
“Kryesisht janë biseda mes funksionarëve. Për shembull janë incizuar biseda të ministrave shqiptarë nga Maqedonia me kolegë të tyre nga Shqipëria dhe Kosova. Mua më vjen keq që ka ndodhë një gjë e tillë në vendin tim, mirëpo nuk do të isha i sinqertë sikur mos të tregoja se kjo ka ndodhur. Megjithatë ato biseda nuk do të publikohen”, ka thënë mes tjerash Zaev.
Përgjimi i funksionarëve të një vendi nga një shtet tjetër konsiderohet ndër incidentet më të rënda diplomatike, por çuditërisht as Tirana as Prishtina nuk reaguan asokohe me asnjë masë diplomatike ndaj Maqedonisë. /Almakos