Zoran Zaev, kundër ushtrisë së Kosovës

477
fresco

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev vlerëson se Kosova po e formon ushtrinë në kohën e gabuar. Zaev qëndron në një vijë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg i cili gjithashtu ka deklaruar se nuk është koha që Kosova të formojë ushtrinë e vet. Por kryeministri shkon edhe një hap më larg duke shtuar se duhet shqyrtuar edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 përqind me Serbinë dhe Bosnjën.

Unë e di se edhe qëndrimi i NATO-s është ai. Nuk është koha. Nuk na duhen tensione të reja. Të mos harrojmë, se Ballkani nuk ka për qëllim që edhe një herë të jetë një fuqi baruti. Apeloj që edhe masat tjera, që janë ekzistuese në pjesën e doganave të ryshqyrtohen, të bëjmë prapa dhe ti respektojmë organizatat ndërkombëtare -tha Zaev.

Për dallim nga kryeministri Zaev, partneri shqiptarë  i koalicionit qeveritar uroi formimin e ushtrisë. Nëpërmjet një letre, kreu i BDI-së Ali Ahmeti thotë se formimi i ushtrisë do të ndihmojë në stabilizimit të rajonit. Aleanca për Shqiptarët reagoi ashpër ndaj deklaratës së Zaevit, duke theksuar se Kosovën pa ushtri e dëshiron vetëm Serbia dhe Rusia, ndërsa kërkoi që ta tërheqë deklaratën e tij dhe t’i urojë Kosovës formimin e ushtrisë së saj. Serbia nga ana tjetër, pas transformimit të FSK-së në ushtri, kërkoi mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit në OKB. Nga Qeveria Serbe thonë se veprimi i Kosovës paraqet një shqetësim të madh dhe se Prishtina po shkel mbi marrëveshjet ndërkombëtare.

Qeveria e Serbisë

“Ky vendim i Prishtinës është një shqetësim i madh dhe paraqet një shkelje të rëndë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe mbi të gjitha Rezolutën 1244 të OKB-së. Ky vendim është gjithashtu në kundërshtim me të ashtuquajturën Kushtetutën e Kosovës që e ka shkruar vetë dhe është miratuar, e cila është një lloj absurditeti dhe dëshmi se Prishtina, përveç marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk i respekton normat e veta “

Presidenti i Serbisë, njëherazi edhe komandanti suprem i ushtrisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sot ka vizituar ushtarët serb the ka takuar gjeneralët më të lartë. Vuçiq gjatë ditë së sotme pritet që të dal me vendim për hapat e mëtutjeshëm të Serbisë. Shefi i zyrës serbe në Kosovë Marko Gjuriq i ka bërë thirrje KFOR-it që ta çarmatosë ushtrinë e re. Sipas tij, çdo njeri që është pjesë e FSK-së, do të arrestohet nga forcat serbe kurdo që të jetë e mundur. Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq tha se në Prishtinë sot në formën më të vrazhdë është sulmuar paqja dhe siguria në këto hapësira. Ndërsa deputeti Igor Simiq tha se nuk kanë marrë pjesë sot në seancën duke shfaqur kështu kundërshtimin për thyerje të të gjitha akteve të cilat i kanë marr vet shqiptarët. Gjermania ka kumtuar se miratimi i ligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri nuk bën të shfrytëzohet për përshkallëzim dhune dhe ka ftuar Serbinë e Kosovën për përmbajtje. Ambasada e Finlandës në Prishtinë ka uruar Kosovën me rastin e miratimit të tri ligjeve që e transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri. Urime të panumërta kanë ardhur edhe nga institucionet dhe personalitet me të shquara të Shqipërisë. Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha se ky vendim dëshmon që Kosova është e aftë të marrë përgjegjësi në ndërtimin e institucioneve demokratike. Kryeministri Edi Rama po ashtu uroi Kosovën përmes një postimi në rrjetin e tij Facebook. Ai postoi një fotografi të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me mbishkrimin “Urime”. Mbështetjen për transformim e FSK-së, sot edhe njëherë e vërtetuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe shumë shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Besian Leka

Comments