Zvarritet dëmshpërblimi për rastin “Sopoti”

408

Qeveria zvarrit kërkesën e Avokatit të Shtetit për marrëveshje dëmshpërblimi me Sopotasit të cilët ishin të dënuar në mungesë. Për më tepër se dy javë, kërkesa e drejtuar në Qeveri endet nëpër labirintet e organit ekzekutiv pa epilog konkret. Nuk është caktuar komisioni i cili trajton çështjen para dërgimit në seancë Qeveritare. Për këtë pikë nuk u diskutua as në seancën e sotme të Qeverisë.

Qeveria:

“Ende nuk ka vendim konkret për kërkesën në fjalë. Kërkesa e pranuar po shqyrtohet nga trupat e ndryshëm në Qeveri. Pasi të përfundojë shqyrtimi, menjëherë do të shqyrtohet edhe në seancë të Qeverisë për tu marrë vendim, ndërsa opinioni do të njoftohet menjëherë”.

Katër ish të dënuarit në mungesë për rastin Sopoti; Selman Jahiji, Bashkim Ukshini, Afrim Ukshini dhe Musa Klaiqi kërkojnë t’u shpaguhet njollosja e integritetit personal dhe familjar me vlerë prej 48 milion denarësh. Procedura gjyqësore është pezulluar deri në qëndrimin e Qeverisë e cila duhet prononcohet zyrtarisht nëse pranon marrëveshje me Sopotasit apo do të vendosë vazhdimin e procesit gjyqësorë. Mbrojtja e të dënuarve në rastin Sopoti kërkon mirëkuptimin e Qeverisë, pasi procesi gjyqësorë rrezik të zgjatë ndër vite dhe mbi gjitha ka kosto të lartë për të gjitha palët. Paraprakisht ata kërkuan marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë, por ky dikaster kishte kërkuar që procesin ta vazhdojnë në gjyq nga ku edhe duhet ta fitojnë drejtësinë e tyre. Kjo ministri njëjtë kishte vepruar edhe ndaj grupit të parë të personave që morën dëmshpërblim për pafajësinë e tyre, ndërsa në mënyrë plotësuese Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve kishte tentuar sabotimin e procesit përmes procesverbaleve të rrejshme mbi ditët e kaluara në burg. Më 7 mars të vitit 2019 Qeveria dëmshpërbleu 6 ish të dënuarit në rastin Sopoti me 73 milion denarë. Në këtë grup ishin personat të cilët kishin vuajtur dënimin me burg për veprën terrorizëm.

Adrian Kerimi

Comments