Derisa Gjykata e Apelit i dyfishoi dënimet për dy ish drejtorët e Spitalit të Tetovës lidhur me tragjedinë në Spitalin Modular më 8 shtator të vitit 2021, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar tanimë katër vite nuk ka marrë kurrfarë vendimi prokuroria për lëndën e dytë që u hap pas tragjedisë.
Asokohe organi i akuzës, nën presionin e opinionit për të ndjekur përgjegjësit që vunë në funksion Spitalin Modular të Tetovës pa kritere përkatëse, hapi parahetim për tenderët lidhur me ndërtimin e të gjitha 19 spitaleve modulare në vend, përfshirë edhe atë të Tetovës.
Me këtë rast, dhanë urdhër deri te Byroja për Furnizime Publike dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale që të sigurohet dokumentacioni i plotë, e cila më pas do të duhej të analizohej dhe konstatohej nëse furnizimi publik është në përputhje me dokumentacionin teknik të spitaleve modulare.
Megjithatë katër vite më vonë, Prokuroria nuk jep shpjegime të detajuara se çfarë ndodhi me këtë lëndë dhe cilat janë gjetjet nga analizimi i dokumentacioneve të tenderëve.
Sipas një hulumtimi të IRL të publikuar në gusht të vitit 2023, spitalet modulare, përfshirë edhe atë të Tetovës janë ndërtuar në mënyrë jopërkatëse, duke i shmangur procedurat ligjore, respektivisht pa elaborat për instalimin e rrymës, por edhe pa mbikëqyrje të ndërtimit.
Dokumentari asokohe zbuloi se është anuluar një procedurë tenderiale nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, pas çka tenderin për ndërtimin e spitaleve modulare e ka publikuar Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Venko Filipçe, ndërsa tenderin e ka fituar kompania “Brako” e ish zëvendëskryeministri Koço Angjushev. /Alsat.mk

