Barcelona ka arritur marrëveshjen me klubin kinez Guangzhou Evergrande për mesffushorin Paulinho, për 40 milionë euro. Lajmi është bërë i ditur nga klubi spanjoll, konfirmuar edhe nga trajneri i skuadrës kineze, Felipe Scolari.
Braziliani 29-vjeçar do të nënshkruajë kontratën 4-vjeçare pas përfundimit të testeve mjekësore nesër, kur do të bëhet edhe prezantimi në Camp Nou. Kontrata ka një klauzolë lirimi 120 milionë euro.
Paulinho është blerja e parë e Barcelonës që nga transferimi i Neymar te Paris SG për shifrën rekord 222 milionë euro. Ai rikthehet në Evropë, ku ka luajtur më parë pa sukses me Tottenham. Pasi rigjeti formën në Kinë, ku u transferua më 2015, Paulinho u rikthye edhe në kombëtaren braziliane.