Zyrtare: UEFA licencon stadiumin “Fadil Vokrri”

266

30/08/2018

  

Para tri ditësh Gazeta Observer njoftoi se UEFA ka licencuar Stadiumin e Prishtinës, pasi në një përgjigje dhënë Gazetës Observer UEFA veç e kishte konfirmuar pranimin e stadiumit të renovuar të Prishtinës, mirëpo zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe as të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, nuk ishin të njoftuar për këtë çështje.

Ata nuk mundën ta konfirmonin këtë gjë.

Skandaloze: UEFA e pranon Stadiumin “Fadil Vokrri”, Federata e Futbollit dhe MKRS nuk janë në dijeni

Zyrtarja e lartë e Federatës së Futbollit të Kosovës, Diturie Hoxha, sa i përketë lincencimit të stadiumit, para tri ditësh pati thënë se nuk është  marrë asnjë vendim nga UEFA dhe se nukk kanë marrë asgjë zyrtare e pati pohuar edhe Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në Ministri të Kulturës dhe Sportit.

Dhe ashtu siç njoftoi Gazeta Observer para 3 ditësh,  UEFA edhe zyrtarisht ka licencuar stadiumin “Fadil Vokrri”.

Këtë tashmë e bën të ditur, edhe pse me vonesë, Federata e Futbollit të Kosovës, nëpërmes një deklarate në ueb faqen e tyre zyrtare, ku kanë shkruar:

“UEFA, sot ka njoftuar zyrtarisht Federatën e Futbollit të Kosovës se stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë pas renovimit të tërësishëm i ka plotësuar kriteret dhe është licencuar për zhvillimin e ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

Kësisoj, më 10 shtator, në orën 20:45, Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e parë në shtëpi kundër Ishujve Faroe, në kuadër të Ligës së Kombeve, tri ditë pasi do ta bëjë debutimin në këtë garë në Baku, në përballje me Azerbajxhanin.”

Ndërsa, Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, po përmes një postimin në Facebook, njofton me procedurat e ardhshme.

“Stadiumi Fadil Vokrri edhe zyrtarisht licencohet nga UEFA për ndeshjet e Kosovës. Tani Ministria fillon procesin e pranimit teknik (rreth dy javë)dhe pas atij procesi do të bëjmë pranim dorëzimin e stadiumit te Komuna në menaxhim. Në ndërkohë ndeshjet e Kosovës do te luhen në stadium nën organizimin e Federatës. Urime!“, shkruan Ahmeti në FB./Gazeta Observer

Comments