A do të bëhen bashkë shqiptarët e Luginës në zgjedhjet parlamentare serbe? Flet Shaip Kamberi

101

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, në një intervistë për lajmi.net, ka folur edhe për mundësinë e shkuarjes së një liste të vetme zgjedhore.

Kreu i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Serbisë, partitë shqiptare mund edhe të garojnë në një listë të vetme dhe në këtë mënyrë do të forcohej edhe fuqia parlamentare e shqiptarëve.

Mirëpo, për t’u arritur kjo, Kamberi në një intervistë dhënë për lajmi.net, se varet nga marrëveshja që do të arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, nëse shqiptarët do të garonin në një listë të vetme, do të mund të siguronin tre deputetë në Parlamentin serb.

Lajmi.net: Z.Kamberi a keni bërë ndonjë përpjekje që të bëheni bashkë të gjitha partitë në Bujanoc dhe të hyni bashkërisht në zgjedhje në mënyrë që të jetë shumica shqiptare në qeverisje? – Nëse jo, pse?

Shaip Kamberi: Po vet ekzistimi i shumë partive politike imponon daljen me më shumë lista zgjedhore. Sa i përket zgjedhjeve lokale dalja me më shumë lista, p.sh., në Bujanoc, nuk rrezikon mundësinë e shqiptarëve për ta qeverisur këtë komunë. Kjo u dëshmua disa herë në zgjedhje (2001, 2006, 2008, 2012, 2016), por, ka ekzistuar nevoja e koordinimit të përbashkët për të dalë me një listë në zgjedhjet parlamentare e cila mjerisht nuk ka ndodhur për shkak të qëndrimit të disa partive që këto zgjedhje t’i bojkotojnë. Në zgjedhjet e ardhshme, varësisht nga arritja eventuale e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi dhe varësisht se çka do të sjellë ajo marrëveshje për Luginën e Preshevës, ideja e paraqitjes me një listë në zgjedhjet parlamentare do të imponohet si domosdoshmëri.

Lajmi.net: A mendoni se nëse do të ishin bërë të gjitha partitë politike ndikimi i shqiptarëve do të ishte më i fuqishëm?

Shaip Kamberi: Në të gjitha mandatet e deritashme të zgjedhjeve parlamentare ne kemi arritur të kemi një apo dy deputetë, kjo për shkak të bojkotit të këtyre zgjedhjeve të shumicës së partive shqiptare. Paraqitja me një listë të përbashkët sigurisht që faktorizon edhe më tepër shqiptarët dhe krijon mundësinë të fitojmë 3 e më tepër deputetë që do të faktorizonte edhe rolin tonë në Parlament.

Comments