Ambasada me njoftim të ri për kosovarët që udhëtojnë drejt Gjermanisë
Ambasada e Kosovës në Gjermani ka bërë të ditur se kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e rajoneve në mbledhjen e zhvilluar dje, kanë vendosur që të vazhdojnë masat antiCOVID, që kanë qenë në fuqi deri më tani.
Në njoftimin e fundit të ambasadës theksohet se këto masa do të shtyhen deri më 14 shkurt.
“Masat që ishin në fuqi deri në fund të janarit do të shtyhen deri me 14 shkurt. Shkollat e kopshtet e fëmijëve të mos hapen para 15 shkurtit. Punëdhënësit duhet t’u mundësojnë punonjësve punën nga shtëpia në të gjitha ato veprimtari, ku kjo është e mundshme”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu u theksua se mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë obligative dhe se nuk lejohet një mbulim i thjeshtë i gojës dhe hundës, transmeton lajmi.net.
“Detyrimi për mbajtjen e maskës nëpër autobusë e metro si dhe nëpër dyqane do të ashpërsohet (maska medicinale apo FFP2 maska). Një mbulim i thjeshtë i gojës dhe hundës nuk lejohet më. Kontaktet duhet të vazhdojnë të jenë të reduktuara. Maksimalisht një person nga një amvisëri tjetër lejohet për takime. Edhe në shërbesat fetare këtej e tutje duhet të mbahen maskat mbrojtëse të mjekësisë”, bëhet e ditur në njoftimin e Ambasadës./Lajmi.net/