Arabia Saudite ndalon pelegrinët e huaj nga kryerja e Haxhit

146

Arabia Saudite ka njoftuar se pelegrinët e huaj nuk do të jenë në gjendje të kryejnë haxhin vjetor këtë vit, për shkak të koronavirusit të ri.

Ministria e Haxhit dhe Umrahit e mbretërisë tha se vetëm një “numër shumë i kufizuar” i myslimanëve nga kombësi të ndryshme, që tashmë banojnë në Arabinë Saudite do të jetë në gjendje të kryejë haxhin, i cili këtë vit bie në fund të muajit korrik.

Informohu per Koronavirusin ne Zvicer

“Ky vendim është marrë për të siguruar që haxhi të kryhet në mënyrë të sigurt nga perspektiva e shëndetit publik ndërsa respektohen të gjitha masat parandaluese dhe protokollet e nevojshme të distancës sociale për të mbrojtur njerëzit nga rreziqet që lidhen me këtë pandemi”, tha ministria.
Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe çdo mysliman i aftë dhe që ka mundësi financiare, është i detyruar ta kryejë atë një herë në jetën e tij.

Çdo vit afro 2.5 milionë myslimanë nga më shumë se 180 vende e kryejnë këtë pelegrinazh, që përfshin një seri lutjesh dhe ritualesh, gjatë pesë deri gjashtë ditëve, në qytetin e shenjtë të Mekës.

Arabia Saudite po përpiqet të mbajë nën kontroll situatën me pandeminë. Në këtë vend nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, janë shënuar 161,000 raste ndërsa 1.300 persona kanë vdekur.

Comments