Ciara bllokon komunikacionin në Europën Veriore

214

Një numër i madh fluturimesh u anuluan, ndërkohë që trenat u pezulluan sot, kur stuhia Ciara goditi Europën Veriore.

Në Britaninë e Madhe dhjetëra fluturime u anuluan dhe kompanitë hekurudhore po veprojnë me orare të reduktuara në pritje të shiut dhe erërave të forta.

Në Skoci, tre persona u plagosën kur një çati u shemb për shkak të stuhisë.

Ciara pritet të jetë stuhia më e fortë që ka goditur vendin që nga viti 2013, me erëra deri në 130 kilometra në orë.

Meteorologët kanë paralajmëruar për përmbytje si dhe rrezik nga sende apo objekte që mund të krijojnë incidente për shkak të erës së fortë. Disa shërbime me tragete janë anuluar gjithashtu.

Shërbimi i motit në Gjermani tha se kjo stuhi, që atje quhet Sabine, do të mbërrinte në pjesën veriore dhe qendrore të vendit sot pasdite dhe në Gjermaninë Jugore nesër.

Shpejtësia e erës prej afro 120 kilometrash në orë pritet të rrëzojë pemë dhe të bllokojë trafikun.

MÖBEL THEMA

Deutsche Bahn, kompania hekurudhore e vendit, njoftoi sot në mëngjes se disa rajone bregdetare dhe zona të tjera, që pritet të goditen fort nga stuhia, nuk do të jenë më të arritshme nga trenat e distancave të gjata.

Deutsche Bahn tha se kishte bërë përgatitje intensive për stuhinë.

Aeroportet në Frankfurt, Hamburg, Berlin dhe Këln gjithashtu presin që stuhia të ndikojë në funksionimin e tyre.

Stuhia pritej të prekë të gjithë Belgjikën për rreth 24 orë.

Rreth 60 fluturime u anuluan sot nga aeroporti i Brukselit, qendra kryesore ndërkombëtare e Belgjikës.

Instituti mbretëror meteorologjik lëshoi ​​një alarm për erëra deri në 110 kilometra në orë.

Shërbimi holandez i motit u bëri thirrje shoferëve që të lënë maunet, ndërkohë që janë anuluar edhe ndeshjet e kampionateve të futbollit.

Si masë paraprake, KLM anuloi dhjetëra fluturime europiane për dhe nga aeroporti i  Schiphol-it, në Amsterdam.

Comments