Emërimet në MPB, propozohet edhe kryeshefi i Kumanovës

369

Zbardhet edhe emri i të zgjedhurit të 14 të ministrit të Brendshëm teknik Naqe Çulev, në kuadër të procesit të ndryshimit të kokave drejtuese të sektorëve kyç në MPB. Alsat mëson jozyrtarisht se me Sektorin për Punë të Brendshme në Kumanovë do të udhëheqë Anton Vitkov. Më këtë, numri i kryeshefave të SPB-ve që ndryshohen shkon në 7 kurse pa drejtues të ri mbetet vetëm SPB-ja e Tetovës. E kontaktuar nga Alsat, zëvendësministrja plotësuese Slavjanka Petrovska nuk konfirmon emërimin e kryeshefit të ri dhe as nëse ka ndonjë moment të ri sa u takon paralajmërimeve për padi ndaj tij, të cilat i kishte bërë ditëve të fundit.

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, partisë të cilës i takon ministri i Brendshëm teknik, thotë se konsultimet me të parin e MPB-së vazhdojnë.

Në konsultimet që kam me ministrin teknik dhe informacionet që i marr janë se akoma shqyrtojnë prioritetet se cili do të jetë i 15-ti. Mund të jetë SPB-ja e Tetovës por mund të jetë edhe ndonjë sektor tjetër- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Edhe pse flitej se VMRO-DPMNE-ja kishte lënë hapësirë për një bashkëpunim të mundshëm me dy nga partitë shqiptare për shkëmbimin e SPB-së së Kumanovës dhe Tetovës, Mickoski thotë se deri tani, ata nuk u janë drejtuar të interesuara për bashkëpunim. Përplasjet në dikasterin e brendshëm mes ministrit Naqe Çulev dhe zëvendësministres plotësuese Slavjanka Petrovska, sipas tij, burojnë nga aktet e sjella gjatë ditëve të fundit të mandatit nga ish ministri Oliver Spasovski. Ai vlerëson se sistematizimi i Spasovskit ishte bërë në vija partiake.

Në çfarë ngjan ajo që tre ditë përpara se të bëhet pranimdorëzimi i kabinetit të ministrit për Punë të Brendshme, të ndryshohet sistematizimi dhe të ndahen qindra vendime për personat që në atë kohë janë shpallur të papërshtatshëm për këtë qeveri? Ata nuk janë vlerësuar si joprofesionistë, se kanë gabuar në punën e tyre ose në shërbimin e tyre por janë shpallur si të papërshtatshëm për LSDM-në- tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Çulev nuk është më i afërt me ish shefin e DSK-së Sasho Mijallkov, se sa që janë vetë disa funksionarë të lartë të LSDM-së, deklaroi Mickoski.

Ministria e Punëve të Brendshme është bërë “fushëbetejë” parazgjedhore mes dy partive më të mëdha, LSDM-së dhe VMRO-së, me një sërë akuzash të ndërsjella për keqpërdorime politike.

Fatlume Dervishi 

Comments