Hoti: Dialogu nuk ka alternativë, do të udhëhiqet nga kryeministri

92

Qeveria e Kosovës është duke e mbajtur mbledhjen e saj të radhës. Në fillim të kësaj mbledhje, kryeministri Avdullah Hoti foli për çështjen e dialogut me Serbinë.

Hoti theksoi se dialogu nuk ka alternativë dhe se Kosova është e gatshme për këtë proces.

Ai gjithashtu bëri të ditur se procesi i dialogut do të udhëhiqet nga kryeministri.

“Pavarësisht zhvillimeve që ndodhin dialogu nuk ka alternativë. Ne duhet tregojmë përkushtim dhe gatishmëri si shtet që të hyjmë në këtë proces, Kosova është e përgatitur për këtë proces, është bërë një punë e madhe nga qeveritë e kaluara që tash është duke u sistemuar”, tha Hoti.

Informohu per Koronavirusin ne Zvicer

Hoti gjithashtu theksoi se “jemi duke punuar që të kompozojmë një ekip shtetërore që do të përfaqësoj Kosovën në këtë proces sigurisht kryesuar nga kryeministri”.

Qeveria e Kosovës, gjithashtu mori vendim që të themelojë këshillin e ekspertëve për dialog me Serbinë.

Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj tha se ky këshill do të veprojë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

“Këshilli i Ekspertëve bënë analiza specifike dhe këshillon kryeministrin dhe qeverinë për çështje të dialogut me Serbinë sipas temave që diskutohen në dialog, si dhe përgatit raporte, dokumente për pozicionin e Kosovës, dokumente analitike, faktografike dhe të tjera sipas nevojës. Kryeministri emëron koordinatorin shtetëror për dialog i cili udhëheq me punën e këshilli dhe njëkohësisht është këshilltar i kryeministrit dhe i përgjigjet drejtpërdrejt atij. Koordinatori për dialog është person kontaktues dhe koordinues në emër të kryeministrit me të gjitha palët përfshirëse për dialog”, tha Selmanaj. /Telegrafi/

Comments