Luboteni pa ujë, reagojnë ASH-AAA

54

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë reaguar sot në lidhje me problemin me ujin e pijshëm në Luboten.

MÖBEL THEMA

“Duke qenë në ditët e fundit të verës, koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA – dega Butel është sot këtu ta njoftojë opinionin, por edhe të reagojë, për një dukuri që edhe pse nuk është e vjetër, vazhdon të jetë dëshpëruese. Në kohën kur gjithë bota është ngritur në këmbë për ta ngritur nivelin e pastërtisë, fshati Luboten i Komunës së Butelit tashmë dy muaj nuk ka ujë në çezmat e veta. Ky nuk është lajm i ri, por është një dhimbje të vjetër, që vazhdon të mbetet aktuale për vite të tëra. Madje, përkundër premtimeve të kryetarit të Qytetit të Shkupit, z. Shilegov, dhe kryetarit të Komunës së Butelit, z. Smileski, zotime këto që ishin dhënë edhe me shkrim, sot në Luboten vazhdon të mos ketë ujë të pijshëm nëpër amvisëritë e fshatit. Dhe, duke reaguar dhe duke kërkuar që ky problem të zgjidhet pa premtime, por konkretisht sot dhe pa mashtrime, ne i pyesim këta zotërinj se me çfarë morali do të paraqiten vitin e ardhshëm në Luboten? Si do të kërkojnë votë përsëri kur ata sot në Luboten llogariten si mashtrues? Me këtë rast nuk mund të mos kërkojmë edhe nga Bashkësia Lokale e f. Luboten që të deklarohet se ka qenë e lajthitur nga këta njerëz dhe të bashkohet në betejën tonë për ujë të pijshëm në Luboten. Uji nuk ka ngjyra politike dhe ne do të jemi në shërbim të lubotenasve dhe të gjithë qytetarëve të tjerë që kanë nevojë për ujë. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët AlternAtivA – dega Butel do të vazhdojë ta ndjekë këtë problem dhe të reagojë në institucionet ku është e përfaqësuar, ndërsa vitin tjetër të premtojë zgjidhje reale e pa pompozitet të këtij problemi. Për neve uji nuk duhet të këmbehet me votë. Ne e kemi detyrim që qytetarëve t’u mundësojmë kushte optimale për jetë pavarësisht përcaktimit të tyre politik dhe përkatësisë së tyre etnike a religjioze.”, thuhet në reagimin e tyre.

Comments