Maqedonia e Veriut merr pjesë në Takimin e Liderëve të NATO-s

344

Zoran Zaev, kryeministri i parë i vendit i cili po merr pjesë në Takimin e Liderëve të NATO-s në Londër theksoi nevojën që NATO të angazhohet për t’iu dhënë fund konflikteve në shtete të ndryshme të botës. Zaev dhe Presidenti polak, Duda madje shtuan se NATO duhet angazhuar për ta stabilizuar Lindjen e Afërt, ashtu si për të zmbrapsur ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

NATO është aleanca më e madhe në botë dhe faktori më i rëndësishëm i luftës dhe paqes në botë, gjithashtu ka përgjegjësi të ruajë paqen gjithandej në botë. Kuptohet duhet të ketë më shumë fokus në jug, për shkak se atje ka vërtetë nevojë për vendosje të paqes sa më parë që është e mundur”-pohoi Zoran Zaev, Kryeministër.

Nuk kam dyshim se duhet ta shohim NATO-n si aleancë të gjithë shteteve anëtare, andaj ideja thelbësore është veprimtaria 360 shkallëshe e NATO-s. Duhet të shohim në krahun lindor dhe atë jugor  të NATO-s dhe të përpiqemi t’iu përgjigjemi të gjitha sfidave që kemi atje”-theksoi Andrzej Duda, President i Polonisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se NATO do të mbetet aleanca më e suksesshme në botë për aq koha sa do të jetë në gjendje t’iu përshtatet rrethanave. Duke iu dhënë fund dilemave rreth të ardhmes së NATO-s, Stoltenberg tha se duhet festuar ditëlindja e 70 e kësaj aleance fleksibile, truri i së cilës nuk ka vdekur.

Jemi 29 aleatë, nga të dyja anët e Atlantikut, sigurisht se do të ketë dallime. Do të ishte e çuditshme nëse 29 aleatë, me parti të ndryshme, me histori e gjeografi të ndryshme gjithmonë të pajtohen për gjithçka. Por mësimi që kemi mësuar nga historia është se pavarësisht këtyre dallimeve ne gjithmonë kemi qenë në gjendje të unifikohemi rreth detyrave tona thelbësore, të mbështesim dhe mbrojmë njëra-tjetrën, sepse është në interesin tonë kombëtar të bëjmë kështu”-tha Jens Stoltenberg, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se është bërë fans i NATO-s pikërisht për shkak të fleksibilitetit të saj dhe se e gëzon fakti se do të rritet shuma që shtetet anëtare do t’i derdhin në buxhetin e aleancës.

Përmes disa negociatave rritëm buxhetin e shteteve jashtë SHBA-ve, sepse SHBA-ja ka paguar shumë më shumë se gjithkush tjetër, si përqindje e Prodhimit Bruto Vendor. Rritëm numrin e shteteve që paguajnë 130 miliard dollarësh. Në 20 vjetët e fundit kishte vetëm rënie e asnjë ngritje dhe nuk do të kishim NATO nëse do të vazhdonim në atë mënyrë, kështu që e rritëm relativisht mirë”-pohoi Donald Trump, president i SHBA-ve.

Planet për të mbrojtur vendet e Baltikut, respektivisht për ta ndihmuar Turqinë në konfliktin me kurdët dhe lufta kundër terrorizmit, respektivisht ISIS-it; kontrollimi i armëve; marrëdhënia me Rusinë dhe për herë të parë edhe marrëdhënia me Kinën janë temat për të cilat diskutohet në Takimin e Liderëve të NATO-s. Për shkak të frikës për skandale eventuale pas “përplasjeve” të fundit mes aleatëve, u vendos që ky takim i lartë të mos quhet “Samiti i Londrës”.

Anesa Salihu

Comments