Mendimi ndryshe dhe ndryshimi i mendimit

Në fenë islame, mendimi ndryshe është i lejuar, e kjo më së shumti vërehet tek mendimet e medhhebeve kur në pyetje janë çështjet sekondare, ndërsa sa i përket çështjeve bazë të besimit dhe farzeve kryesore shohim unanimitet.
Në të gjitha profesionet nevojitet përpikëria, por duke e pasur parasysh se me çfarë situata po ballafaqohemi në kohë të sodit, atëherë them se përpikëria në profesionin e hoxhës duhet të jetë mëse e domosdoshme.
Zoti i Lartmadhëruar e do robin i cili kur ta kryej një punë (edhe në profesion) e kryen me përpikëri. Duke e pasur parasysh se dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve (diturisë së tyre), sehabet kanë shpejtuar që secili të jetë i specializuar në ndonjë lëmi të diturisë. Kështu, shohim se Ebu Hurejre tri vite nuk i është ndarë Muhamedit a.s. në çdo veprim të tij, vetëm e vetëm për të mësuar sa më shumë hadithe prej tij. Po ashtu edhe Ibn Abasi është specializuar në tefsirë. Edhe pse Aishja r.a. është transmetuesja më e njohur e haditheve, ajo në fakt ka qenë e njohur për fikhun e gjinisë femërore, ajo na ka sjellë shumë çështje të rëndësishme në këtë lëmi saqë po të mos sqaroheshin nga ajo sot e kësaj dite do të kishin mbetur të pa sqaruara.
Ebu Hanife, në fillim ka qenë i specializuar në FIKHUN EKBER (në shkencën e besimit), mirëpo duke e parë se kishte nevojë të madhe që të mësohet FIKHU, pra zbatimi i ligjeve praktike të sheriatit, atëherë u specializua në Kijas (analogji) dhe në thellimin e të kuptuarit të fjalëve të Kur’anit dhe transmetimit të haditheve të Muhamedit a.s.
Pas luftës së dytë botërore, pasi që ishin mbyllur shumë medrese dhe mektebe dhe për shkak të rrethanave të ndryshme, kemi pasur hoxhallarë të përgjithshëm dhe jo të specializuar për një lëmi prej lëmive të shkencave islame. Medreseja në Kosovë ka qenë perlë jo vetëm për vendin tonë por edhe më gjerë. Përgatitja e kuadrove për Imamë nga ky institucion arsimor ka qenë e domosdoshme deri në themelimin e fakultetit të shkencave islame. Mirëpo pas luftës së fundit në Kosovë, ka qenë dashur të themelohet UNIVERSITETI ISLAM ku do të bëhej specializimi i kuadrove në fusha të ndryshme dhe jo të vazhdohet me të vjetrën, duke kaluar prej shkollës së përgjithshme islame (Medresesë) në shkollë të përgjithshme islame (Fakultet të Studimeve Islame) por të ketë Fakultete të shumënumërta islame si Fakultet të së drejtës islame, Fakultet të Bazave të fesë (besimit islam), Fakultet të tefsirit, etj.
Nuk avancohet sistemi arsimor Islam me personalitete të cilët i ndryshojnë opinionet e tyre prej një kohe në një kohë tjetër ose për shkak të dëshirës për të mbajtur pozitën, ose dëshirës për arritur popullaritet, ose për shkak të presioneve, si ato mediatike, etj.

Ne po shohim personalitete të cilët ndryshojnë mendimet e tyre:
- prej një momenti në një moment tjetër,
- prej një xhumaje në xhumanë tjetër.
- prej minutave të parë të ligjëratës (Hutbës së xhumasë) në minutat e fundit të së njëjtës ligjëratë (Hutbe), ashtu që fillimi i ligjëratës del në kundërshtim me fundin e ligjëratës.
Në shoqërinë tonë, duke mos i kuptuar edhe terminologjitë islame është përhapur ideja se termi miraz është term përbuzës, a ky term tregon të drejtën trashëgimore të femrës, dhe është prej termeve të lavdëruara në islam pasi përfaqëson të drejtën ekskluzive të gjinisë femërore për të trashëguar. Pra, në raste të tilla nuk duhet të ketë as mendim ndryshe dhe as ndryshim të mendimit (opinionit) sepse kjo çështje është farz (obligative).
Duke mos i kuptuar edhe terminologjitë islame si f.v. termin haraq (haraxh) i cili është institucion islam dhe është term me kuptim pozitiv, prapëseprapë ne po e dëgjojmë edhe prej hoxhallarëve se e përdorin për kuptim negativ thuaja se kjo fjalë e ka kuptimin e krimit.
Ne shohim dhe dëgjojmë edhe në media ku prej hoxhës thuhet: “A do me pa shqiptarë të vërtetë, leje fenë, leje çdo fe, leje edhe muslimanizmin… edhe krishterizmin… leje çdo fe.” Kjo deklaratë a është mendim ndryshe, gafë, apo…!? (Lëre çdo fe, a do të thotë ateizëm apo…?)
Po shqiptarin, të vërtetë e ka bërë feja islame, ashtu sikurse njeriun e vërtetë e bën feja islame, sepse Zoti i Lartmadhëruar e ka krijuar njeriun për adhurim dhe nënshtrim ndaj Krijuesit. Njeriu i cili nuk beson në Zot nuk është njeri i vërtetë sepse nuk beson në Krijuesin e tij.